S’ka mundësi të manipulohet testi i maturës
Të shtunën mbi 46 mijë maturantë të shollave të mesme të Republikës së Kosovës do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës Shtetërore.
Në këtë numër përfshihen dy gjenerata të maturantëve, pasi këtë vit është hequr klasa e 13 dhe maturantët që nuk kanë pasur sukses në vitet e kaluara dhe ata me arsim të përshpejtuar.
Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) është gati për mbajtjen e këtij provimi. “Kemi qenë të përgatitur për mbajtjen e provimit më 7 qershor, por për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit janë shtyrë të gjitha afatet për një javë. Kjo na ka ndihmuar neve që edhe nëse kemi pasur ndonjë lëshim eventuale teknik ta përmirësojmë. Mund t’ju them se jemi të përgatitur maksimalisht. Dita e parë e provimit është më 14 qershor, dita e dytë më 28 qershor, pastaj publikimi i rezultateve më 7 korrik”, ka thënë në një intervistë për “Epokën e re”, kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM), Nehat Mustafa.
Mustafa, i cili njëherësh është edhe zëvendësministër në detyrë i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka thënë se MASHT-i, gjegjësisht KQSHM-ja, është përgatitur maksimalisht për Provimin e Maturës Shtetërore. Ai ka treguar se këtë vit 400 qendrat e testimit do të administrohen nga profesorë të universiteteve publike. Mustafa ka thënë se prej vitit 2008, kur është miratuar Ligji për Maturën dhe ai është kryetar i KQSHM-së, matura është avancuar në shkallën më të lartë dhe është shndërruar në një instrument tepër të rëndësishëm të matjes së dijes.
Mustafa ka kërkuar nga politika të rrijë larg Provimit të Maturës dhe mos t’i terrorizojë maturantët. “Ndihmë është që me deklaratat e tyre t’i motivojnë të rinjtë, e jo me deklarata të pavërteta t’i traumatizojnë maturantët. Por, nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, të paktën le të qëndrojnë larg testit të maturës, sepse kështu i ndihmojnë maturantët”, ka thënë Mustafa. Në këtë intervistë ai ka sqaruar tërë procesin prej ndërtimit të pyetjeve, organizimit, printimit, administrimit të testit dhe deri te shpallja e rezultateve.
Ai ka thënë se testin final e sheh vetëm një njeri. Madje as ai vetë si kryetar i KQSHM-së nuk e sheh testin sepse në këtë mënyrë, sipas Mustafës, parandalohet dalja e testit jashtë para mbajtjes së tij. Testi i Maturës i mat katër nivele të dijes: njohjen, të kuptuarit, zbatimin dhe mendimin kritik.
“Epoka e re”: Jemi në prag të mbajtjes së Provimit të Maturës. Deri ku kanë shkuar përgatitjet dhe si ka ndikuar shtyrja e testit për një javë?
Mustafa: Kemi qenë të përgatitur për mbajtjen e provimit më 7 qershor, por për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit janë shtyrë të gjitha afatet për një javë. Kjo na ka ndihmuar neve që edhe nëse kemi pasur ndonjë lëshim eventuale teknik ta përmirësojmë. Mund t’ju them se jemi të përgatitur maksimalisht. Dita e parë e provimit është më 14 qershor, dita e dytë më 28 qershor, pastaj publikimi i rezultateve më 7 korrik. Sipas regjistrave që kanë sjellë DKA-të, presim që Provimit të Maturës t’i nënshtrohen rreth 46 mijë maturantë, ku përfshihen edhe maturantët që nuk kanë pasur sukses në vitin e kaluar dhe ata që janë me arsim të përshpejtuar. Ne jemi duke bërë përgatitje për të gjithë ata dhe në këtë drejtim kemi një fluks shumë të madh të maturantëve, pasi dihet se tashmë më nuk ekziston klasa e 13 dhe kemi një grumbullim të dy gjeneratave.
“Epoka e re”: Sa do të jetë i vështirë menaxhimi i testit kur kemi parasysh se kemi dyfishim të maturantëve?
Mustafa: Do të jetë më vështirë, pasi kemi dyfishim të maturantëve. DKA-ja ka pasur problem edhe me identifikimin e qendrave të testimit, sepse i kemi 400 qendra. Provimi duhet të mbahet në të njëjtën ditë sepse është test i standardizuar. Besojmë se do të dalim me sukses, pavarësisht numrit shumë të madh të maturantëve. Sa iu përket përgatitjeve, më lejoni t’ju them se kemi pasur takim me rektorët e universiteteve publike, ku kemi kërkuar nga ta qasje më të drejtpërdrejtë në administrimin e testit të maturës. Me kërkesën tonë ata janë pajtuar të marrin rol më aktiv në administrimin e testit të maturës sepse në fund rezultati i maturës është shumë i rëndësishëm për universitetet. Do të vazhdojmë edhe këtë vit që në shtatë njësi akademike do të jetë pa provim pranues. Mbi të gjitha, është interes i universiteteve të kemi besueshmëri të rezultateve.
“Epoka e re”: Çfarë roli do të kenë universitetet publike?
Mustafa: Roli i tyre nuk do të jetë si në të kaluarën, që ishin vetëm monitorues të procesit, por tani çdo qendër e testimit, nga 400 sa janë, do të kenë kryetarë – një profesor të universiteteve publike. Ata si kryesues të qendrës së testimit, në rast se shohin parregullsi, do të kenë mundësi ta anulojnë testin, mbi të gjitha do të na japin informata më të sakta se si po sillen administruesit. Administruesit do të mbajnë përgjegjësi deri në suspendim nga puna. Nëse kryetarët e qendrave të testimit paraqesin fakte se diku duhet të anulohet testi ne do ta përfillim kërkesën me argumentim që ata e bëjnë.
“Epoka e re”: Cilat janë shkaqet që çojnë deri tek anulimi i testit?
Mustafa: Për ta anuluar testin duhet të kemi argumente se procesi është komprometuar. Në të kaluarën kemi pasur raste kur komisionarët me mësimdhënësit dhe drejtorinë komunale kanë arritur që pjesë-pjesë ta nxjerrin testin dhe përgjigjet t’i fusin në klasë ose ka pasur raste kur nxënësit kanë hijezuar grupin e njëjtë, por tash kjo s’do të jetë e mundur. Problemi qëndron tek administruesit që angazhohen, pavarësisht asaj që ne u rekomandojmë komunave, që të zgjedhin mësimdhënës të përgjegjshëm. Është fatkeqësi që një numër i mësimdhënësve janë aq të pandërgjegjshëm në punën që e bëjnë në testin e maturës, duke lejuar që testi të komprometohet dhe duke rrezikuar një punë të madhe që ministria e bën për një vit të tërë. Kemi pasur raste kur politika ka tentuar të hyjë në testin e maturës me qëllim që të sulmohen MASHT-i dhe KQSHM-ja. Ka pasur akuza se testi ka dalë jashtë siç ka qenë rasti kur forumi rinor i LDK-së e ka publikuar një test të falsifikuar. I ftoj subjektet politike dhe ekspertët të na ndihmojnë në mbarëvajtjen e testit të maturës.
“Epoka e re”: Cila është ndihma që mund të ofrojnë ata?
Mustafa: Me deklaratat e tyre ata mund t’i motivojnë të rinjtë, e jo t’i traumatizojnë maturantët me deklarata të pavërteta. Por nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, të paktën le të qëndrojnë larg testit të maturës sepse kështu u ndihmojnë maturantëve. DKA-t nuk janë ende të vetëdijshme se sa është i rëndësishëm për ta testi i maturës dhe shpeshherë drejtorët e shkollave dhe zyrtarët komunalë bëhen pjesë e tentimit të manipulimeve, por fakti që këtë herë do t’i kemi kryetarët e qendrave nga universitetet jemi të sigurt se këto dukuri do të eliminohen.
“Epoka e re”: Do të ketë ndryshime testi nga i vitit të kaluar?
Mustafa: Testi nuk do të dallojë nga ai i vitit të kaluar për shkak se amendamentimi i ligjit është në parlament dhe për shkak të shpërndarjes së këtij institucioni nuk ka arritur të kalojë. Testin e organizojmë sipas modelit të vitit të kaluar në dy ditë: ditën e parë 120 pyetje nga lëndët e përgjithshme, ditën e dytë 80 pyetje nga lëndët e përafërta me drejtimin. Kalueshmëria mbetet e njëjtë: 50 për qind. Dua të them se deri te përcaktimi i kuotës së pyetjeve kemi arritur pas debatit me nxënës, mësimdhënës dhe drejtorë shkollash. Kuotat e pyetjeve për lëndë të caktuara janë bërë në pajtueshmëri me sugjerimet që i kanë dhënë maturantët. Gjithashtu, në kuadër të përgatitjeve, veç fletëpalosjeve, MASHT-i ka publikuar një tekst – programe orientuese, ku kemi modalitete të pyetjeve që mund të jenë në testin e maturës. Këtë tekst e kemi shpërndarë nëpër shkolla dhe në uebfaqen e MASHT-it.
“Epoka e re”: Kush janë hartuesit e testit të maturës?
Mustafa: Për çdo lëndë kemi të angazhuar disa ekspertë. Për shembull, nëse e marrim lëndën e Biologjisë, aty kemi mësimdhënës nga shkollat e mesme të larta dhe një profesor të UP-së. Mësimdhënësi i shkollës së mesme merret me përshtatshmërinë e pyetjeve me nivelin e moshës që kanë maturantët, kurse eksperti universitar merret me përshtatshmërinë shkencore. Ekspertët para se ta fillojnë hartimin e pyetjeve trajnohen nga Njësia për Vlerësim dhe Monitorim. Atyre u tregohet se si duhet të bëhet ndërtimi i pyetjeve, cilat janë nivelet që ne i masim si: njohja, të kuptuarit, zbatimi dhe mendimi kritik. Ne i njoftojmë me përqindje të këtyre kategorive, u shpërndahen planprogramet dhe tekstet shkollore, pastaj fillon ndërtimi i pyetjeve.
“Epoka e re”: A mund ta shihni ju si kryetar i KQSHM-së testin?
Mustafa: Absolutisht jo. Unë sipas ligjit duhet ta shoh testin, por nuk kam dashur më shumë se një njeri ta shohë përbërjen finale të testit. Pas kryerjes së testit, kopjet e tij sillen nën përcjelljen e policisë. Objekti ruhet nga policia dhe nuk lejohet asnjë zyrtar i kontrollimit të testeve të hyjë brenda. Testi kontrollohet me lexues optikë dhe mundësia e ndërhyrjes së dikujt në rezultat është e pamundshme sepse në mënyrë automatike shifrat lexohen dhe kthehen në emra. Ky është procesi i ndërtimit të pyetjeve, i organizimit, printimit, administrimit të testit dhe deri te shpallja e rezultatit më 7 korrik.
“Epoka e re”: Nga përvojat e viteve të kaluara, mendoni se është në përputhje vlerësimi i brendshëm i shkollave me vlerësimin e maturës, që është vlerësim i jashtëm?
Mustafa: Analizat kanë dëshmuar se vlerësimet e brendshme janë më të mëdha sesa ekzistojnë në realitet. Rezultati i testit të maturës i ka demaskuar shkollat që kanë fryrë rezultatet. Në shumë shkolla rezultatet e dobëta kanë bërë që ata të përgatiten dhe të punojnë më ndryshe dhe t’i përgatisin maturantët, prandaj kemi ngritje të rezultateve./epokaere/