Shpallen rezultatet në Universitetin Publik
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shpallur rezultatet e provimit pranues për studentët që janë pranuar në vitin e ri akademik, në shtatëmbëdhjetë fakultetet e tij. Të pakënaqurit kanë nisur ankesat, ndërsa vende të lira për afatin e shtatorit ka vetëm për studentët me korrespondencë dhe fakultetet ku nuk ka konkurrencë të fortë .
Këshilltari i rektorit Ardian Kastrati ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se rezultatet kanë filluar të dalin që nga mëngjesi.
“Procesi i shpalljes së rezultateve është në proces, brenda ditës do të shpallen në secilin fakultet. Rezultatet do t`i gjejnë edhe në webfaqet edhe nëpër fakultete”, tha Kastrati.
Agnesa Hyseni nga Podujeva është pranuar në Fakultetin e Arteve, në drejtimin Pikturë, ajo ka arritur që të marrë 18 pikë në provimin pranues, dhe është në mesin e 15 studentë të rinj që janë pranuar në këtë drejtim.
“Kemi pasur tri herë më hi në provim së pari në “portret” pastaj në “figurë” dhe në fund në testin “me ngjyra dhe natyrë të qetë”, provimi është mbajtur në ditën e premte dhe të shtunë, kurse rezultatet i kemi marrë ditën e hënë”, tha Hyseni.
Me 67.45 pikë të grumbulluara së bashku, me suksesin e shkollës së mesme, maturën dhe pikët e provimit pranues, Arlind Hyseni nga Vushtrria është pranuar në Fakultetin juridik.
“Rezultatet kanë dalë shpejt, nuk janë vonuar hiç, jam i lumtur se shpejt e kam kuptuar që jam pranuar”, tha Arlindi, tani student i ri juridiku.
Ardian Kastrati ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se në fakultetet që ka pasur shumë konkurrencë është plotësuar numri i kërkuar. Sipas tij në disa fakultete ka hapësirë, e nuk është plotësuar numri i studentëve, andaj edhe do të ketë afat shtesë.
” Në ato fakultete që kanë pasur shumë konkurrencë nuk mund të intervenohet diçka, të shtohet numri, prandaj nuk mund të ketë afat shtesë”, tha Kastrati.
Sedat Kuçi dekan i Fakultetit Filozofik tha se numri i kërkuar me konkurs për studentë të rinj nuk është plotësuar. Sipas tij, ky numër është plotësuar vetëm aty ku ka pasur konkurrencë, si në departamentin e Anglishtes, Gjermanishtes dhe Gazetarisë.
“Në drejtimet tjera dhe me korrespondencë nuk është plotësuar numri. Do të ketë afat të dytë edhe në shtator”, tha Kuçi.
Sipas Kuçit, gjithçka ka shkuar në rregull me përjashtim të kuotave që kanë qenë për kandidatët nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Mali i Zi dhe minoritetet.
“Është deshtë me koordinu dhe verifiku të dhënën se ka pas raste kur është shkrujt shtetas dhe banor i një vendi, e ka dalë banor i tjetrit vend”, tha ai.
Ismail Kuçi zyrtar në shërbimin e administratës të Fakultetit Juridik thotë se kanë dalë rezultatet sot që në mëngjes në këtë fakultet. Sipas tij gjithçka që është varë nga administrata ka shkuar mirë.
“Hapësira për studentë të rregullt është plotësuar, por jo edhe ajo me korrespondencë, e cila do të ketë afatin shtesë në shtator sikurse edhe viteve të kaluara”, tha Kuçi.
Në Fakultetin e Edukimit ku këtë vit për 1100 vende të lira kanë aplikuar 4128 persona, për herë të parë është praktikuar metoda elektronike e leximit të testeve.
Prodekani për Çështje Arsimore Zeqir Veselaj tha për gazetën Jeta në Kosovë se ky është rezultati më i shpejtë i shpallur në historinë e Fakultetit të edukimit.
“Ekipi ka punuar pas provimit edhe gjatë natës dhe të shtunën në ora 4 të mëngjesit kanë qenë të publikuara rezultatet”, tha Veselaj.
Studentët që nuk janë pranuar do të paraqesin ankesat për mospranimin e tyre në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.
Shkurte Rakovica nga Prishtina ka konkurruar në Fakultetin juridik, por nuk është pranuar me 64 pikët sa ka grumbulluar.
“Po bëj ankesë se me pikët që kam arrit nuk jam pranuar, e shumë kandidatë tjerë ishin pranuar me këto pikë, unë e kam edhe suksesin e mirë”, tha ajo.
Bjonda Thana nga Obiliqi gjithashtu nuk është pranuar në këtë fakultet. Ajo ka arritur 57 pikë.
“Dua të bëj ankesë dhe besoj që do të shqyrtohet ankesa ime dhe do të pranohem se na thanë që kanë me rritë përqindjen”, tha Thana.
Ardian Katrati këshilltar i rektorit thotë se procesi ka shkuar shumë mirë dhe tash në fazën e ankesave do të shihet prej kandidatëve për pakënaqësitë e tyre dhe nëse ka pasur parregullsi.
“Afati i ankesave do të jetë përgjatë dy ditëve me 31 korrik dhe 1 gusht”, tha Kastrati.
Zeqir Veselaj tha se në Fakultetin e edukimit ankesat janë pranuar edhe gjatë ditës së hënë dhe vazhdojnë të pranohen edhe gjatë së martës.
“Kanë ardhur 30-40 ankesa nga kandidat që kanë gabuar kodin e vet, duke plotësuar gabim fletën optike, tash ekipi është ka i kërkon këto teste për shqyrtim që me i tregu secilit që është ankuar sa ka punuar”, tha ai.
Sipas Veselajt, do të shqyrtohet secila ankesë e arsyeshme që ka arritur, me përjashtim të atyre me pak pikë në fund të listës.
“Prioritet do të kenë ata që janë shumë afër me 0.25 % “, tha Veselaj.
Edhe në Fakultetin juridik pas publikimit të rezultateve janë paraqitur ankesat e para.
Ismail Kuçi thotë se nuk ka shumë ankesa, por se presin që gjatë ditës të ketë edhe tjera. Sipas tij koha për përgjigje në këto ankesa, në Fakultetin juridik do të jetë e enjtja në orën 10:00.