Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan pjesës së parë të Provimit të Maturës
Rreth 34 mijë maturantë sa ka këtë vit Kosova, sot në orën 10:00, i janë nënshtruar pjesës së parë Provimit të Maturës, në 305 qendra të testimit në gjithë vendin.
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe kryetari i KQShM-së, Nehat Mustafa, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Halim Halimi, kanë vizituar maturantët që i janë nënshtruar provimit të maturës në qendrën e testimit në shkollën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.
Aty, ministri Buja ka parë nga afër se si po shkon procesi i testimit dhe ka bashkëbiseduar shkurt me maturantët rreth shqetësimeve të tyre në lidhje me këtë test.
Më pas, në një prononcim për media, ministri Buja tha se sot kanë ankth jo vetëm këta nxënës që janë në testin e maturës, por edhe prindërit. “Unë ju them se nuk duhet ta kenë këtë ankth, sepse janë siguruar të gjitha kushtet që është dashur të sigurohen, të gjitha përgatitjet janë bërë që ky testim të shkojë sa më mirë, duke përfshirë këtu edhe gjithë nivelin pedagogjik arsimor dhe teknik”.
Ministri Buja theksoi se përvoja ka shërbyer për mirë dhe sivjet jemi më mirë edhe me ambientet, ndërsa janë shtuar kapacitetet në 305 qendra ku mbahet testi.
“Besoj se gjithçka do të shkojë në rregull, më mirë se sa herave të tjera, sepse jemi duke u përmirësuar gjithmonë, siç ndodhë gjithmonë në çdo shoqëri, dhe gjithçka është sipas parashikimeve”, tha ministri Buja, i cili më pas përmendi faktin se ka pasur një përjashtim të vogël në këtë drejtim në Skenderaj, por që edhe kjo është tejkaluar.
“Ka pasur përjashtime të vogla si ai në Skenderaj, që ajo revoltë e tyre, ajo protestë e tyre ka arsyen e vet të qëndrueshme, pse janë vonuar të hyjnë në test, ndërsa në Obliliq ka pasur një vonesë të vogël, por asnjë telashe tjetër nuk ka ndodhur deri më tani dhe besoj do të ndodhë krejt e mira e mundshme gjatë kësaj dite”, tha ministri Buja.
Ndërsa, kryetari i KQShM-së, Nehat Mustafa sqaroi se në Skenderaj maturantët janë bindur të fillojnë testimin, pas një aktiviteti të mirë dhe të suksesshëm të Drejtorisë Komunale të Arsimit. “Tani edhe atje ka filluar testi i maturës dhe për këta maturantë do të zgjatet afati i i testit për një orë”.
Një gjysmë ore vonesë ka pasur edhe në Obiliq, ku sipas z. Mustafa, ka pasur një ngatërresë të listave nga DKA-ja atje, por KQShM ka vendosur që për këtë të mos iu humbet e drejta e maturantëve për të hyrë në test. “Raportet tjera flasin se çdokund tjetër ka filluar me kohë provimi i maturës”, tha ai.
Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 2500 administrues dhe mbi 900 anëtarë të komisioneve në Qendrat e Testimit. Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit kanë qenë të mbuluara me së paku 2 përfaqësues nga tri universitetet publike të Republikës së Kosovës (mbi 600).
Policia e Kosovës edhe këtë vit ka mbështetur organizimin e Testit të Maturës duke siguruar transportin e testeve nga Ministria në Qendrat e Testimit dhe anasjelltas, si dhe ka siguruar këto qendra gjatë kohës sa është mbajtur testi.
Pjesa e dytë e testit, ku do të ketë pyetje nga lëndët më të përafërta me drejtimin, do të mbahet më 15 qershor.
Rezultatet e provimit të maturës do të shpallen më 24 qershor. Më pas, maturantët do të kenë 3 ditë afat që të ankohen dhe më 28 qershor do të bëhet edhe publikimi i rezultateve të ankesave.
Ata që nuk do të mund të arrijnë pragun e kalueshmërisë prej 50 përqind kësaj radhe, do ta kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit./masht-gov/