Provimi i maturës drejt ndryshimit
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë e Kosovës ka nisur përgatitjet për provimin shtetëror të maturës. Divizioni për Vlerësim dhe Standarde i kësaj ministrie ka përpiluar agjendën sipas të cilës do të organizohet ky provim, duke filluar nga përgatitja e fletëpalosjeve , të cilat si fazë e parë e njoftimit rreth këtij provimi do t’iu shpërndahen maturantëve në të gjitha shkollat e vendit.
Provimi i maturës sivjet do të mbahet sipas rregullave të vitit të kaluar, dy ditë dhe në dy pjesë ta ndara, ndërsa risi të tjera sipas udhëheqësve të kësaj zyreje nuk do të ketë. Ndërkohë, planet e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, do të inkuadrohen në ligj që ky provim të përafrohet dhe mbahet sipas praktikave më të avancuara të vendeve tjera.
Mustafë Kadriu, përfaqësues i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde ka thënë për gazetën se në disa komuna të vendit ka nisur debati nëpër shkolla me maturantë dhe njoftimi i tyre me këtë provim, në mënyrë që ata të familjarizohen me testimin dhe ta marrin si diçka pozitive, sfiduese për ta, të rëndësishme për të ardhmen e tyre.
Ai ka theksuar se maturantët nuk kanë bërë ndonjë sugjerim apo vërejtje që do të qonte deri tek ndryshimi i ndonjë rregulli të caktuar vitin e kaluar për mbarëvajtjen e këtij provimi. Por, sipas tij ata po pajtohen me këtë formë të testimit dhe po i përshtaten këtij provimi gjithnjë e më shumë.
Ndërsa, në anën tjetër ka konfirmuar se procesi i amandamentimit të Ligjit për provimin përfundimtar të maturës ka arritur në fazën e specifikimit të ndryshimeve, të cilat ai shprehet optimistë se do të ndryshojnë gjendjen për të mirë.
“Ligji aktual nuk ka lënë shumë hapësirë për të bërë ndryshime që kërkohen sipas zhvillimeve të gjithmbarshme të arsimit. Për këtë arsye ne kërkuam amendamentimin e tij që ky ligj të jetë fleksibil sipas kohës. Të krijojë mundësi për të gjetur rrugë më të pranueshme për zhvillimin e proceseve”.
Kadriu ka thënë se deri më 31 mars do të dihet dhe puna e komisionit për ndryshimin e këtij ligji, i cili do të dorëzojë një raport të detajuar rreth ndryshimeve që kërkohen te komisioni parlamentar, që më pas ta adresojë në rrugët ligjore për miratim në Kuvend.
Ligji i amandamentuar, ai ka bërë të ditur se do të hap mundësinë që të hiqet pragu i kalueshmërisë. Pra, sipas tij synohet të mos ketë ngelës në këtë provim, vetëm të orientohen maturantët sipas njohurive që kanë në drejtimet e fakulteteve ku kanë fituar më shumë pikë në provimin e maturës.
-Zeri-