Nisin ethet e maturës!
Dita e parë e provimit të maturës shtetërore do të mbahet më 1 qershor, ndërsa nëpër komuna kanë nisur përgatitjet për familjarizimin e maturantëve me këtë proces. Ethet e maturës kanë kapluar maturantët, edhe pse zyrtarë të lartë të ministrisë dhe drejtorive komunale arsimore thonë se po bëhen të gjitha përgatitjet që ky provim të realizohet në dobi të maturantit për të matur ai (maturanti) dijen e tij që t’i shërbejë për vazhdimin e studimeve universitare. Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, i cili kryeson edhe Komisionin Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM) ka premtuar se MASHT-i ka iniciuar ndryshimin ose përplotësimit e Ligjit të Maturës, i cili sipas tij, ka mundësi që këtë vit të miratohet dhe matura e ardhshme të realizohet konform ligjit të ri. Paralajmërimi i KQSHM-së se broshura ose fletëpalosja, e cila do t’iu jepet maturantëve është në fazën përfundimtare dhe së shpejti do të shpërndahen në të gjitha shkollat, sipas drejtorit për Arsim të Komunës e Vushtrrisë, Qerim Selimi, ka nisur të shpërndahet.
Ai ka thënë se fletëpalosjet kanë mbërritur në komunë dhe iu janë shpërndarë drejtorive që më pas t’u ndahen mësimdhënësve dhe të njoftohet secili maturant me to. Ai ka theksuar se maturantët janë njoftuar me datën e provimit dhe me lëndët e fushat ku do të orientohet testi si dhe rrjedhën e metodologjinë së punës të provimit. Sipas tij, kjo po ndodh në të gjitha shkollat dhe mësimdhënësit mbajnë orë plotësuese për maturantët për t’i njoftuar rreth maturës brenda shkollës, megjithëse ai nuk ka mohuar se mund të ketë mësimdhënës të pandërgjegjshëm që mban kurse për maturën apo kurse tjera jashtë shkollës, pavarësisht se ka theksuar se një dukuri të tillë janë duke u munduar ta luftojnë.
Azem Guri, drejtor për arsim në Kaçanik, si dhe kryetar i Kolegjiumit për Arsim dhe Kulturë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se kanë marrë vendim që maturantëve të mos iu mbajnë kurse shtesë profesorët me pagesë, por këtë ta bëjnë pa pagesë para provimit të maturës. “Në fund të muajit maj atyre (mësimdhënësve) iu bie fondi i orëve dhe ata më nuk kanë punë dhe në kuadër të kësaj e kemi rregulluar çështjen dhe ata i kemi obliguar që t’iu mbajnë orë shtesë kurdo që duan maturantët që të jenë të gatshëm për provimin e maturës”.
Ai tha se këtë po e bëjnë dhe disa komuna, ndonëse nuk ka mohuar se në fillim ka pasur problem për jetësimin e kësaj, por tash jo më. Guri iu ka bërë thirrje edhe drejtorive tjera të veprojnë në këtë formë dhe të mos lejohen profesorët të mbajnë kurse shtesë, por këtë ta bëjnë brendapërbrenda shkollës. Në kuadër të përgatitjeve për maturën është botuar dhe libri “Matematika për test të maturës – 2013”, me autorët Mustafë Kadriu, Naim Braha, Armend Shabani, Valmir Krasniqi. Ky tekst ka 120 faqe dhe ka mbi 900 detyra të formatit të testeve. Në fund janë edhe detyrat finale të vitit të kaluar si një model i testit. Teksti është lejuar për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Mustafë Kadriu ka thënë për gazetën se teksti paraqet bazë shumë të mirë për të përgatitur testin e maturës nga lënda e matematikës.
“Kryerja me sukses e Maturës Shtetërore dhe pozicionimi në vend më të mirë në Njësitë Akademike të Universitetit është një dëshirë e shumë maturantëve. Rezultatet e mira në testin e matematikës në provimin e maturës shtetërore paraqesin një mundësi më shumë për pranimin në Universitet. Çelësi për hyrje në Universitet, e në veçanti në degët në të cilat është e rëndësishme matematika gjendet në këtë përmbledhje. Ky tekst do të jetë edhe një ndihmesë e mësimdhënësve që nxënësit e tyre me sukses ta kalojnë provimin e maturës shtetërore nga lënda e matematikës”, ka thënë Kadriu.
Përmbledhja në vete përmban teste të cilat janë hartuara në bazë të programeve të zbatuara në të gjitha drejtimet dhe shkollat e arsimit të mesëm të lartë si për nxënësit e gjimnazeve ashtu edhe të arsimit profesional. Testet janë të punuara sipas njësive mësimore. Në fund është dhënë një model i testit real të vitit 2012. Me anë të kësaj përmbledhje të modeleve të testeve synohet që të realizohet sistemi i njohurive dhe shkathtësive të domosdoshme të programeve të matematikës, familjarizimi i maturantëve me formën e testeve të matematikës, aftësimi i maturantëve për të vlerësuar veten me synim që ta rrisin nivelin e të arriturave në matematikë. Këtë vit do të ketë të organizuar dhjetë lloje të testeve të maturës. Çdo lloj testi do të ketë nëngrupet e ndara. Dita e dytë e provimit do të mbahet më 15 qershor. Do të shkohet sipas vitit të kaluar me 200 pyetje, 120 ditën e parë dhe 80 të tjera ditën e dytë.