Maturantët vlerësohen me 3-sh
Ministria e Arsimit ka renditur Hanin e Elezit, Kaçanikun dhe Mitrovicën si tri komunat me rezultatet më të dobëta në testin e maturës shtetërore. Tri më të suksesshmet janë Deçani, Juniku e Podujeva. Nota mesatare e vlerësimit për të gjithë maturantët është 2.8 që, sipas ministrisë së arsimit, rrumbullakësohet me notën 3. Në shkollat e monitoruara nga Gazeta Jeta në Kosovë gjatë pjesës së dytë të testit të maturës vërehet se maturantët kishin mundësi kopjimi dhe se kishte gabime teknike në test.
Maturantët që të shtunën më 15 qershor të këtij viti mbanin pjesën e dytë të testit provonin të kopjonin edhe përkundër që monitoroheshin nga arsimtarë dhe inspektorë të ministrisë së arsimit.
Gazeta Jeta në Kosovë ka monitoruar disa shkolla në pjesën e dytë të testit që është mbajtur me datë 15 qershor. Pjesa e parë ishte mbajtur më 1 qershor.
Fjalët e tyre më të shpeshta ishin “pyetja e 20, përgjigjja c…”, “cili opsion është tek pyetja 10-të…”, “hajde më shpejtë…”.
“Arsimtarët na kanë lënë të kopjojmë nga pak. Ama nuk kanë qenë edhe aq i vështirë testi” , thotë Arjeta Vllasa, nxënëse e shkollës së mesme te muzikës Prenk Jakova në Prishtinë.
Gjithashtu edhe Bleart Misimi nga shkolla e mesme “Hoxhe Kadri Prishtina” gjatë testit të maturës e pranon se kishin mundësi për të kopjuar.
“Duhej të ruheshim nga monitoruesit kur kopjonim. Veç tinëz tyre diqysh”, thotë Misimi.
Nxënësit ankoheshin për probleme teknike për pyetjet që figuronin në testin e maturës.
Në pyetjen e 20-të kërkohej që maturantët të gjenin përgjigjen për intervalin muzikor në bazë të pentagramit të paraqitur aty. Por, në atë figurë mungonte një vijë e pentagramit.
“Pentagrami i ka 5 vija, jo 3, dhe këtu mund të ketë gabim grafik. Ka rënë një vi nga shtypi por megjithatë duhet të kishte një kontroll gjatë hartimit të testit final”, thotë Blerim Bytyqi, njëri nga monitoruesit.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit deklarojnë se nuk kanë marrë ankesa nga monitoruesit rreth problemeve teknike.
“Nuk e di për çka bëhet fjalë, ne nuk kemi marrë asnjë ankesë nga monitoruesit, dhe nuk kemi falë asnjë pikë”, thotë Mustafë Kadriu, zv/drejtor i Maturës Shtetërore në MASHT.
Ministria e Arsimit vlerëson se testi i maturës shtetërore tregoi rezultatet më të mira prejse ka nisur të mbahet më 2006.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit një numër prej 23 mijë e 531 maturantëve kanë kaluar nga 31 mijë e 628 maturantë sa i janë nënshtruar testit të maturës.
Mesatarja e diturisë ose aftësimit të përgjithshëm të maturantëve në testin e maturës këtë vit ka arritur në 2.8 për qind, që i bie se maturantët këtë vit vlerësohen me notën “mirë(3)”.
“…Është një mesatare mjaftë e mirë dhe kjo maturantëve do t’u ndihmojë mjaftë për të vazhduar studimet universitare”, pohon Kadriu.
“Është një mesatare mjaftë e mirë dhe kjo maturantëve do t’u ndihmojë për të vazhduar studimet
Testi i maturës kishte 200 pyetje ndërsa maturantët kalonin nëse përgjigjeshin saktë në 100 prej tyre.
Por tani, MASHT planifikon që të ndërrojë formën e mbajtjes së testimit.
“Nga forma manuale, në vitin 2016 do të kalojë të mbahet në formë digjitale”, thotë Kadriu.
Sipas tij, fillimisht në vitin 2015 do të bëhet pilotimi i sistemit digjital nëpërmjet të cilit do të shikohet se si po funksionon programi dhe sa janë në gjendje të përgjigjen nxënësit dhe po ashtu se sa ka mundësi të dalin rezultatet në mënyrë automatike.
“Paraprakisht do të prijnë disa përgatitje si: trajnimi i stafit dhe mësimdhënësve, Trajnimi i ekspertëve për përpilimin e pyetjeve, trajnimi i ekspertëve për tekste digjitale, kompletimi me teknologji, si resiverë të avancuar dhe kompjuterë, përgatitja e maturanteve për punën me teknologji dhe vlerësim digjital etj”, thotë Mustafa.
Tri komunat më të dobëta në test
Hani i Elezit, Kaçaniku dhe Mitrovica janë tri komunat më rezultatet më të dobëta në testin shtetëror të maturës bazuar në vlerësimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MASHT).
Tri komunat me suksesin më të mirë sipas MASHT-it ishin Deçani, Juniku e Podujeva.
MASHT bëri këtë renditje në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.
Një prej komunave të renditura në mesin e tri më të dobëtave nuk pajtohet me vlerësimin e ministrisë së arsimit.
“Administruesit kanë bërë presion ndaj nxënësve”, thotë Zyber Gjoni drejtor i shkollës së mesme “Dardania”, nga Komuna e Hanit të Elezit.
Kjo komunë ka vetëm një shkollë të mesme.
“Administruesit kanë bërë presion ndaj nxënësve”
Gjoni e vlerëson si presion numrin e madh të administruesve që kanë monitoruar testin e maturës shtetërore.
Ai thotë se kanë qenë mbi 13 administrues në një klasë, nga dy që kishte gjithsej kjo shkollë.
“ Edhe profesorët tanë kanë qenë në shkollat tjera për të administruar po ata kanë treguar se në një klasë më së shumti kanë qenë 6 administrues, e jo 13”, tha Zyberi.
Por, sipas ministrisë së arsimit, kjo është në rregull, sepse sipas numrit të nxënësve caktohet edhe numri i administruesve që caktohen të monitorojnë testin e maturës.
“Një monitorues caktohet të përcjell 12-13 nxënës, dhe në bazë të numrit të nxënësve në një shkollë, caktohet edhe numri i administruesve, ky ka qenë parim për të gjitha shkollat e Kosovës”, thotë Mustafë Kadriu, zv/drejtor i Maturës Shtetërore.
Ndërkaq Gjoni pohon se në testin e maturës në Komunën e Hanit të Elezit ishin paraqitur për të hyrë në test 221 maturantë ndërsa prezentë në test kanë qenë vetëm 148.
Sipas tij, disa kanë mundur të tërhiqen pasi nuk kanë dashur të vazhdojnë studimet.
“Një monitorues caktohet të përcjell 12-13 nxënës
Gjoni pohon se në mesin e 148 maturantëve ishin edhe pesëdhjetë veta që kishin përsëritur testin e maturës që nga vitit 2006.
“Ministria e arsimit nuk ka qenë korrekt me ne, sepse vetëm 148 nxënës kanë hy në test, dhe ata i kanë marrë parasysh numrin se sa i kanë paraqitë dhe atë se sa i kanë dhënë”, thotë Gjoni.
Ai shtoi se në këtë përqindje të ulët shumë kanë kontribuar edhe nxënësit të cilët ishin përsëritës, “nga më shumë se 50 syresh sa kanë hyrë në teste vetëm 3 veta e kanë kaluar”.
Ministria e Arsimit deklaron se në këtë komunë testin e maturës e kishin kaluar 33.5 për qind e maturantëve.
Ndërsa përqindja e arritshmërisë (nota mesatare e dijes) në këtë komunë ishte 47.2 për qind.
Ndryshe nga Komuna e Hanit të Elezit, e cila ankohet se ka pasur padrejtësi, komuna e Kaçanikut i pranon rezultatet, duke thënë se nuk kanë vërejtje në lidhje me testin
“Ne i pranojmë këto rezultate, gjithçka ka shkuar në rregull”, thotë Azem Guri nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Kaçanik.
“Rezultati ka qenë real, kurse ankesa kemi vetëm nga ata që nuk e kanë kaluar dhe kanë mbetur për 2 ose 3 pikë pa e dhënë testin” , thotë Guri.
“Ne i pranojmë këto rezultate, gjithçka ka shkuar në rregull”
Në këtë komunë testin e kanë kaluar vetëm 51 për qind kurse arritshmëria e diturisë në test e këtyre nxënësve kishte arritur në 49.8 për qind.
E befasuar për renditjen në mesin e komunave më të dobëta është komuna e Mitrovicës.
“Nuk ka mundësi të jemi në mesin e më të dobëtave, shkollat tona këtë vit kanë punuar shumë mirë” ,thotë drejtori i arsimit në këtë komunë, Ali Bejta.
Ai thotë se rezultatet ende nuk janë mbledhur përfundimisht.
“Një paralele e shkollës teknike dhe dy paralele të shkollës së mjekësisë, ende nuk i kanë marrë rezultatet përfundimtare”.
Sipas Bejtes shkollat e Mitrovicës kishin rezultate të kënaqshme në testin e maturës.
“Gjimnazi ka rezultate shumë të kënaqshme, p.sh 80 për qind e nxënësve e kanë kaluar testin. Kurse në shkollën e mesme të Mjekësisë e kanë kaluar afër 80 për qind”, deklaron drejtori komunal i Arsimit në Mitrovicë.
Komunat me rezultate të mira
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë këtë vit ka renditur Deçanin, Junikun dhe Podujevën si komunat me rezultatet më të mira në testin e maturës.
Komuna e Deçanit këtë vit arriti kalueshmërinë në 93.7 për qind, duke e bërë edhe komunën me rezultatet më të mira nga të tjerat.
Sipas drejtorit të arsimit në këtë komunë, rezultati vie pas punës së nxënësve dhe përkushtimit të mësimdhënësve.
“Ne kemi punuar këtë vit që të arrijmë rezultate dhe të mos anulohet testi siç kishte ndodhur para tri vitesh në komunën tonë”, thotë Qazim Maloku, drejtor i arsimit në Deçan.
Në vitin 2011 në këtë komunë ishte anuluar testi i maturës, për t’u përsëritur, pasi Komisioni i Ministrisë së Arsimit kishte hasur në parregullsi gjatë administrimit të testit në shkollën “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Në këtë shkollë ishte përsëritur testi i maturës për 252 maturantë.
“Ne kemi punuar këtë vit që të arrijmë rezultate dhe të mos anulohet testi siç kishte ndodhur para tri vitesh
Komuna e Junikut si komuna e dytë me rezultatet më të mira në testin maturës shtetërorë ka arritur rezultate të kalueshmërisë 93.1 për qind ndërsa Podujeva 89.9 për qind.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Junikut, Muharrem Krasniqi, thotë se ky rezultat ka ardhur si falë punës së madhe të profesorëve dhe nxënësve.
“Kanë mbajtur dy javë punë shtesë dhe iu është sqaruar nxënësve çdo gjë që nuk e kishin të qartë në lidhje me testin” , deklaron Krasniqi.
“Shkollat profesionale ulin përqindjen”
Mustafë Kadriu, zv.drejtori i Maturës Shtetërore, pohon se rezultatet në shkollat e Kosovës kanë mundur të jenë edhe më të mira, por se sipas tij shkollat profesionale e ulin përqindjen.
“Zakonisht gjimnazet kanë rezultate shumë të mira, dhe të kënaqshme, por shkollat e arsimit profesional po e ulin përqindjen e suksesit në nivel komunal”, thotë ai.
“…Filozofia e arsimit profesional është që kandidatët me aftësitë që i kanë marrë të jenë të aftë për tregun e punës e jo për vazhdimin e studimeve”, shton Kadriu.
“Filozofia e arsimit profesional është që kandidatët me aftësitë që i kanë marrë të jenë të aftë për tregun e punës e jo për vazhdimin e studimeve
Ndërsa, sipas rezultateve, këtë vit dominojnë gjimnazi i matematikës, gjimnazi i shkencave natyrore, gjimnazi i përgjithshëm e mandej vjen edhe ai shoqëror, kurse tek arsimi profesional kanë dominuar shkollat që kanë të bëjnë me ekonomi dhe atome mjekësi, kurse shkollat më të dobëta janë vlerësuar ato të shkencave teknike.
Ministria e Arsimit këtë vit si shkollën më të mirë e shpalli gjimnazin “Sami Frashëri” nga Prishtina.
“Për shkollat më të mira nuk i kemi përpunuar akoma rezultatet, por apriori shihet se është më e mira ‘Sami Frashri’, Prishtinë” , thotë Kadriu.