MASHT nis riformatizimin e provimit të maturës
Përgatitjet për mbajtjen e provimit të maturës shtetërore kanë nisur. Dita e parë e këtij provimi do të jetë më 1 qershor, kurse dita e dytë 15 qershor. Ky provim do të mbahet sipas rregullores së vitit të kaluar, ndërkaq vlerësimi do të përfshijë 200 pyetje, 120 ditën e parë dhe 80 pyetje të tjera ditën e dytë. Pjesa e parë e testimit do të përfshijë vlerësimin nga lëndët e përgjithshme, kurse e dyta nga ato profesionale.
Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka thënë se është duke punuar në hartimin e pyetjeve për testin kombëtar të maturës që do të mbahet në qershor, duke paralajmëruar se maturantët do të pajisen me broshura ose fletëpalosje, për t’u “familjarizuar” me provimin.
Megjithëkëtë, përqindja jo e kënaqshme e maturantëve që japin provimin, po ashtu dështimet edhe në afatin e dytë, e për disa edhe vitin e kaluar përsëritet e njëjta duke iu humbur kështu e drejta për studim në universitet së paku dy vjet, ka nxitur Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT) të ndërmarrë hapa.
Në vitin 2011, nga 25 mijë e 973 maturantë, provimin e dhanë vetëm 10 mijë e 594 maturantë, iu dha mundësia të konkurrojnë për pranim në dy universitetet publike dhe kolegjet tjera private, përderisa pjesa tjetër mbeti t’i nënshtrohet afatit plotësues në gusht.
Ndërkohë që me rezultatet më të dobëta u ndanë në 2011 shkollat teknike. Asnjë maturant nuk dha provimin e maturës në dy shkolla teknike të Kosovës, para dy vjetësh, e në disa të tjera një maturant, apo dy… Shkollat të cilat nuk kanë arritur as pesë për qind të kalueshmërisë patën figuruar në shtatë komuna të vendit dhe i takojnë arsimit profesional.
Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për të bërë testin e provimit të maturës sikurse ai i klasave të nënta, pa pasur përsëritës, por të regjistrohen në fakultete sipas dijes-pikëve. Sipas të dhënave të Njësisë për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit të vitit 2011, maturantët në shkollat profesionale kanë arritur 25 për qind kalueshmëri, pothuajse dy herë më pak se gjimnazet.
Në qendrën e testimit numër 2 (shkolla teknike) në Kaçanik, në provim patën hyrë 95 nxënës, ndërsa kalueshmëria ka qenë zero, po ashtu asnjë nxënës nuk ka dhënë provimin e maturës në shkollën numër 6 në Shtime, ku provimit i janë nënshtruar 65 nxënës, ndërsa rezultati figuron zero… Ndërsa, në vitin e kaluar (2012) rreth 17 mijë maturantë prej rreth 32 mijë sa iu nënshtruan provimit shtetëror të maturës, në afatin e parë, kanë treguar sukses në provim.
Megjithëkëtë, më të dëshpëruar nga rezultatet sërish kanë ngelur maturantët e shkollave teknike. Ankesat më të mëdha që adresohen tek Divizioni për Vlerësim dhe Standarde nga maturantët janë se kanë rënë për një apo dy pikë.
Për çdo vit sipas të dhënave të Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në MASHT raportohen se ripërsëritës mbesin deri në 200 veta, që ngelin dy vjet rresht, kurse sivjet në këtë divizion, sipas udhëheqësit të tij, Mustafë Kadriu, është paraqitur një rast që tash do të hyjë për herë të pestë në provim të maturës.
Drejtorët komunalë arsimorë kanë kërkuar ndryshime të provimit të maturës për shkak të numrit të madh të përsëritësve në provim.
Azem Guri, drejtor i Kolegjiumit për Arsim dhe Kulturë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se për çdo vit për maturën janë mbajtur nga dy takime dhe se ka pasur kërkesa nga drejtor komunal të arsimit që të mos ketë përsëritës në provim, por të shkohet sikurse testi i arritshmërisë për klasë të nënta, pa përsëritës, siç praktikohet me vlerësim të dijes dhe orientim në drejtimin e gjimnazit sipas pikëve që ka marrë në lëndët përkatëse.
Guri tha se këtë rekomandim ia kanë parashtruar Ministrisë së Arsimit, prandaj sa më parë, sipas tij, që të ketë përgjigje aq më mirë do të jetë për t’iu bërë zgjidhje maturantëve që ngelin disa herë në provim.
Ndërkohë, ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka thënë se ky rekomandim i drejtorëve arsimorë komunalë do të mbështetet dhe do të realizohet. Sipas ministrit, kjo është një nga pikat e tij të agjendës së punës. Buja është shprehur i interesuar të mos ketë përsëritës të vitit në maturë.
“Kam dhënë propozimin konkret, sqarim dhe tek donatorët -Banka Botërore se si mendoj të bëhet kjo, se duhet të jetë ngjashëm si test i arritshmërisë ashtu si e ka klasa e nëntë”, ka thënë ai për “Zërin”. Ai ka theksuar se për insistimin e tij që të jetë si test i arritshmërisë është bazuar në informatat që ka marrë kur nxënësi pret tri vjet për të marrë diplomë.
“Dhe kjo nuk ka shumë logjikë. Do të jetë i realizuar kështu përafërsisht që ai nxënës që ka pikët maksimale ka të drejtë të konkurrojë dhe të mund të pranohet në mjekësi në fakultetet ku ai dëshiron. Duke rënë pikët mundësitë e tij janë më të vogla për të realizuar regjistrimin në fakultete. Por, nuk do të ketë nxënës të shkollave profesionale me një diplomë që kush nuk ua përfill, por marrin diplomën për mundësi regjistrimi në fakultet, por ata me pak pikë do të kenë më pak mundësi të regjistrohen në fakultete”.
Ministri Buja ka thënë se ky është një projekt i Ministrisë dhe se mundësitë për realizim janë të mëdha, por ai ka bërë të ditur se sivjet është e pamundur të realizohet. Megjithëkëtë, ka theksuar se procedurat kanë nisur.
-Zeri-