Kompanitë e sigurimit kujdesen për testin e maturës
Pjesa e dytë e Provimit Shtetëror të Maturës e cila do të mbahet të shtunën nuk do të administrohet nga mësimdhënësit, por nga kompanitë private të sigurimit.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, (KQSHM), Nehat Mustafa, ka thënë për “Epokën e re” se rreth 3 mijë pjesëtarë të kompanive të sigurimit të kontraktuara do të kujdesen që maturantët të mos kopjojnë.
Ai ka thënë se MASHT-i dhe KQSHM-ja i ka analizuar faktet e parregullsive të shfaqura dhe ka ndërmarrë këtë hap në mënyrë që të rritet besueshmëria e rezultateve dhe cilësia e administrimit. “Kompanitë e sigurimit fizik nuk do të kenë asnjë qasje me maturantët, por ekskluzivisht do të jenë aty që t’i ndalojnë maturantët të kopjojnë dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se kjo do ta rris nivelin e administrimit. Ai u ka bërë thirrje prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të marrin telefonat me vete në ditën e provimit.
Në qendrat e testimit përveç pjesëtarëve të kompanive të sigurimit, do të jenë prezentë edhe dy zyrtar nga MASHT-i dhe universiteti, menaxheri i shkollës dhe një anëtar që të cilin cakton drejtoria komunale.