Klasa e 13 ishte e kotë
Katërmbëdhjetë maji është dita e fundit e mësimit për nxënësit e klasës së 13 në shkollimin e mesëm të lartë në Republikën e Kosovës. Kjo sepse me këtë sistem të shkollimit 14 vjeçar nuk do të ketë më gjenerata që do të shkollohen, edhe pse një sistem i tillë është aplikuar gjatë viteve të fundit në vendin tonë.
Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit e kanë vlerësuar se sistemi i aplikuar për disa vite në vendin tonë ku shkollat profesionale dhe gjimnazet e përgjithshme i kanë pas nga 5 vjet, duhet të ndryshohet pasi sipas tyre ky sistem nuk i ka shërbyer cilësisë së arsimit, ashtu siç ishte menduar në fillim.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë për KosovaPress se një gjë e tillë është rregulluar me Ligjin për Arsimin Parauniversitarë të vitit 2011.
“Pas një analize të gjatë që është bërë dhe kur është shikuar se a e ka arrit klasa e 13-të qëllimin e vet në arsimin profesional apo nuk e ka arritur, grupi i ekspertëve i Ministrisë së Arsi mit gjatë rishikimit të Ligjit ose nxjerrjes së Ligjit të ri për Arsimin Parauniversitarë që është bërë në vitin 2011 ka ardhur në përfundim që është më mirë që klasa e 13 të hiqet për arsye se nuk është arritur asnjë sukses sa i përket kësaj klase. Pra, përderisa është pas mendu që klasa e 13 të jetë ajo klasa përcaktuese se dikush do të shkoj në arsimin e lartë apo jo, ne e kemi pa që gjatë provimit të maturës, shumica e maturantëve ose të atyre nxënësve të klasës së 12 edhe pse nuk e kanë pasur ndonjë sukses të madh prapë e kanë vazhduar klasën e 13, pra, nuk është arritur ndonjë ngritje e cilësisë në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Se klasa e 13 nuk ka qenë e nevojshme e ka thënë edhe njohësi i arsimit, Jonuz Salihaj, i cili ka thënë për KosovaPress se qysh në fillim kur ka filluar të aplikohet ky sistem i arsimit, ka qenë i vetëdijshëm që nuk do të jetë i zbatueshëm.
“Me thënë të drejtën kur është fut klasa e 13 për shkolla të përgjithshme për gjimnaze, unë e kam ditë që do të jetë humbje kohe dhe të gjithë miqve të mi iu kam preferuar që mos t’i dërgojnë fëmijët në gjimnaz të përgjithshëm, gjimnazi i përgjithshëm ka qenë 4 vjeçar. Pra, ka qenë në atë sistemin 5,4,3, në kllapa 4 sepse 4 vjet ka zgjatë shkolla e mesme e lartë. Pse po them që ky vit ka qenë humbje kohe për arsye se rezultatet e maturantëve në drejtimin natyror shkencor matematikor dhe të gjuhëve kanë qenë më të mira në provimin pranues në fakultetet se sa shembull gjimnazi i përgjithshëm që do të thotë se ajo klasë është ripërsëritë dhe ka qenë e kotë. Kjo është bërë për arsye se njohësit e arsimit, në këtë rast MASHT-i nuk e ka pas të qartë rrjetin e shkollave, pra kjo Qeveri asnjëherë nuk ka punuar në rrjetin e shkollave që t’i përshtatet nevojave të komunave”, ka thënë Salihaj.
Ai ka shtuar se si problem kryesor në organizmin e Maturës Shtetërore e sheh numrin e vogël të llojeve të testeve të maturës, pasi sipas tij do të duhej të ishte një shumëllojshmëri shumë më e madhe e testeve
Salihaj ka thënë se as ministri Buja nuk do të duhej ta ulte kalueshmërinë e testit, siç ka bërë gati çdo vit, por edhe anëtarët e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës do të duhej të ndryshonin përbërje dhe të mos kontrolloheshin nga MASHT-i, pjesë e të cilit nuk do të duhej të ishte as zëvendësministri i MASHT-it.
Megjithatë, provimi i Maturës Shtetërore në Kosovë sivjet do të organizohet për një numër shumë më të madh të nxënësve, meqë këtë vit në këtë provim të dijes përfshihen dy gjenerata, klasa e 13 dhe e 12 meqë nga tani do të jetë një klasë më pak në shkollimin e mesëm të lartë.
Zëvendësministri Mustafa është shprehur se MASHT e ka pas parasysh këtë fakt dhe se përgatitjet për një gjë të tillë i ka bërë me kohë.
“Ne po planifikojmë që diku maturantë që do t’i nënshtrohen provimit të maturës do të jenë në mes 40 deri në 43 mijë që janë potencial për t’iu nënshtruar provimit të maturës, po flasim këtu edhe për ata maturantët që kanë mbet nga vitet e kaluara. Kjo rritje e numrit të maturantëve vërtetë e ka rritur ashtu edhe vështirësinë për organizmin e provimit të maturës për arsye se duhet të rritet numri i qendrave të testimit, do të kemi, janë kriteret e përcaktuara se sa maturantë duhet t’i ketë një qendër e testimit dhe në këtë drejtim tani komunat po kanë probleme që të gjejnë qendra të testimit të përshtatshme për maturantë por është edhe dy muaj deri në organizmin e testit të maturës dhe bashkë me komunat jemi duke i identifikuar ato qendrat, do të kemi rritje të numrit të komisionerëve, rritje të numrit të administruesve”, ka theksuar ai.
Mustafa është shprehur se edhe sivjet do të jenë 7 fakultete në të cilat maturantët mund të regjistrohen vetëm me pikë të maturës, derisa ka shtuar që numri i këtyre njësive nuk është rritur për faktin se në kohën kur është dashtë të diskutohen këto çështje, UP-ja ka pas probleme me ndërrimin e menaxhmenti dhe ka qenë në vakum institucional.
Dita e parë e provimit Shtetëror të Maturës këtë vit do të mbahet më 7 qershor dhe më 21 qershor, dita e dytë, derisa më 30 të po këtij muaji pritet të publikohen rezultatet e këtij provimi.
Edhe këtë vit, sipas zëvendësministrit të Arsimit, Nehat Mustafa, kalueshmëria do të jetë 50 për qind, po ashtu do të përfshihen 200 pyetje, 100 në ditën e parë dhe 100 në ditën e dytë të provimit, kurse për të aplikuar për këtë provim nxënësit duhet të paguajnë 5 euro./kosovapress/