Buja vizitoi maturantët gjatë Testit të Maturës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, dhe kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQShM), Nehat Mustafa, kanë vizituar sot maturantët, të cilët i janë nënshtruar Testit të Maturës (pjesa e parë) në qendrën e testimit në shkollën e mesme profesionale “Don Bosko” në Prishtinë, për të parë nga afër rrjedhën e këtij provimi të rëndësishëm
Me këtë rast, ministri Buja tha se, kjo është një ditë e rëndësishme për ne dhe maturantët të cilët po sprovojnë dijen e tyre, e që pastaj të vazhdojnë shkollimin e lartë.
“Ne konsiderojmë se kemi festë, sepse 46 mijë nxënës janë duke sprovuar dijen e tyre në testin e maturës dhe kjo për ne, përveç kremtes, është edhe një kujdes i jashtëzakonshëm. Organizimi, është bërë si është më së miri dhe deri më tani nuk kemi ndonjë problem të theksuar“, tha ministri Buja.
Në vazhdim, ministri Buja përmendi se, këtë vit për dallim nga vitet tjera, numri i nxënësve që i nënshtrohen Testit të Maturës është më i madh, për faktin se janë përfshirë edhe nxënësit që kanë mbaruar klasën 13–të.
Ministri Buja foli edhe për organizimin e Testit të Maturës, i cili është mbajtur në 390 qendra të testimit, të administruara nga më shumë se 3000 administrues dhe janë angazhuar 626 kryetarë komisionesh, të cilët janë të përzgjedhur nga zyrtarët e MAShT dhe nga profesorët e universiteteve të Kosovës.
Policia e Kosovës edhe këtë vit ka mbështetur organizimin e Testit të Maturës duke siguruar transportin e testeve nga Ministria në Qendrat e Testimit dhe anasjelltas, dhe ka bërë sigurimin e këtyre qendra gjatë kohës sa është mbajtur testi.
Në pjesën e parë të Testit, maturantët janë testuar në lëndët e përgjithshme (matematikë, gjuhë amtare dhe gjuhë angleze).