MASHT cakton datat e testit të maturës
Provimit të Maturës Shtetërore së pari do t’i nënshtrohet regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit, ku në këtë regjion testi i parë do të mbahet më 28 maj, ndërsa testi i dytë më 5 qershor.
Vetëm një ditë më pas më 29 maj provimit te parë të maturës do t’i nënshtrohet regjioni i Prishtinës, ndërsa testin e dytë do ta mbajë më 6 qershor. Me 30 maj testin e parë, ndërsa më 7 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës. Ndërsa, më 31 maj testin e parë dhe më 8 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Pejës dhe Mitrovicës.
Provimi i Maturës Shtetërore do të ketë 200 pyetje, ku kalueshmëria e këtij testi është 40 përqind dhe për secilin regjion pyetjet do të jenë të ndryshme.
Arsyeja se pse këtë herë matura shtetërore do të mbahet në katër ditë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se është që të nxjerrin rezultate sa më reale.
“Qëllimi i Ministrisë është të nxjerrë rezultate reale nga secila shkollë në mbajtjen e këtij testi vlerësues, do të thotë testit shtetëror të maturës. Unë konsideroj se gjërat teknike do t’i thonë anëtarët e komisionit, por ajo që është risi këtë vit organizimi i testit nuk do të jetë njëkohësisht në ditën e njëjtë në tërë territorin e Kosovës, pra do të ndahet në katër regjione, në katër ditë do të mbahet testi i maturës. Kjo formë e re e ka qëllimin e vetëm që të jetë sa më lehtë mënyra e menaxhimit, mënyra e administrimit. Ekipet që do të jenë në ditët e mbajtjes së testit janë ekipe të cilat besojmë që do të jenë njerëz të besueshëm në mënyrë që vlera e testit të jetë në mënyrën sa më të mirë të mundshme”, tha ministri.
Në mënyrë që testi të funksionojë sa më mirë dhe rezultatet të jenë reale, ministri Bytyqi tha se roli i drejtorive komunale të arsimit është kyç, sepse ata janë bartës të organizimit të këtij testi.
Ai kërkoi nga Drejtoritë komunale që të angazhohen që testi të mbahet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në test nuk do të lejohen telefonat mobil, ku ministri tha se do të kujdesen që asnjë nxënës të mos ketë telefon, dhe nëse ndonjëri nga ta zihet me telefon nuk do të lejohen t’i nënshtrohen testit të maturës.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Maturës Shtetërore, Fehmi Hysenaj, bëri të ditur se pyetjet për të katër regjionet do të jenë të ndryshme.
“Dizajni i testit do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara, testi do të ketë 200 kërkesa në të dy pjesët. Pragu i kalueshmërisë sipas ligjit është 40 përqind, pra në të dy pjesët duhet minimumi 80 kërkesa për të kaluar pragun. Pastaj do të shtypen materiale njoftuese për nxënësit, nuk do të lejohen gjatë kohës së testit telefonat që t’i kenë nxënësit dhe në këtë rast iu bëjmë thirrje edhe prindërve që të mos i lejojnë fëmijët që të marrin telefonat me vete atë ditë, sepse në të kundërtën nuk do të kenë mundësi t’i nënshtrohen testit”, tha Hysenaj.
Hysenaj tha se kanë bërë kontrata me të gjithë akterët që do të marrin pjesë në administrimin e testit, ku kanë cekur se ata që do të keqpërdorin detyrën zyrtare mund të humbasin edhe vendin e tyre të punës.
Përveç nxënësve, Hysenaj tha se këtë herë as administratorëve të testit nuk do t’iu lejohet të kenë telefon me vete gjatë mbajtjes së testit.
Provimit të Maturës Shtetërore do t’i nënshtrohen 29 mijë e 816 nxënës në të gjithë Kosovën.