Provimi i Maturës do të zhvillohet në ambiente të mbyllura
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka marrë vendim që Provimi i Maturës sivjet të organizohet në ambiente të mbyllura, me qëllim që të eliminohen keqpërdorimet e mundshme. Madje, nëpër klasa do të lejohen vetëm 15 nxënës, ndërsa edhe monitorimi do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara.
Në gjithsej 250 qendra të testimit, kryetarët e të cilave janë caktuar të jenë nga MAShT-i si dhe universitetet publike, për sigurimin e ambientit do të kujdeset Policia e Kosovës. Numri i administruesve, sipas të dhënave të deklaruara nga Ministria në takimin e organizuar të martën me kryetarët e komunave, drejtorët komunalë të arsimit dhe drejtorë të shkollave të mesme, do të jetë në këtë provim 2500 administrues, si dhe 500 mbikëqyrës. Për çdo pesë administrues është caktuar të ketë një monitorues./zeri.info