Maturantët duhet ta kalojnë pragun e kalueshmërisë edhe këtë vit
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) i ka njoftuar maturantët se duhet që edhe sivjet t’i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës dhe ta kalojnë pragun prej 50 për qind të rezultatit të përgjithshëm të pikëve të këtij provimi.
Pavarësisht se Qeveria e Kosovës ka proceduar për shqyrtim dhe miratim Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore i cili parasheh që të largohet kalueshmëria e provimit të maturës, Ministria e Arsimit do të punojë me ligjin në fuqi sa i përket testit të maturës.
“Këtë vit Provimi i Maturës Shtetërore do të organizohet sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me ligjin në fuqi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas këtij njoftimi, çdo nxënës duhet të përmbushë kriterin e kalueshmërisë.
“Çdo kandidat që i nënshtrohet Provimit të Maturës Shtetërore, duhet të arrijë kriterin e pragut të kalueshmërisë 50% nga rezultati i përgjithshëm i arritshmërisë”, njofton ajo.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami gjatë vizitës në disa shkolla të Kosovës pati premtuar se kalueshmëria e testit të largohet.
Sipas MAShT, testi për këtë vit do të mbahet me 6 e 20 qershor, ndërsa në afatin e dytë do të mbahet me 29 gusht e 5 shtator.