Prezantohet projektligji për heqjen e pragut të kalueshmërisë të testit të maturës
Në mbledhjen e qeverisë ministri i Arsimit dhe Teknologjisë Arsim Bajrami paraqiti Projektligjin e Provimit të Maturës Shtetërore me të cilin këtij provimi i hiqet pragu i kalueshmërisë.
Bajrami njoftoi kabinetin qeveritar se ky projektligj është rishikim i Ligjit për Provimin Përfundimtar dhe Provimin e Maturës Shtetërore, i cili ishte i miratuar më 6 nëntor të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Bajrami tregoi se projektligji i vitit 2008 pas rishikimit ka pësuar ndryshime.
Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
“Kemi propozuar heqjen e pragut të kalueshmërisë që ishte 50 për qind dhe vendosjen e provimit të arritshmërisë që nënkupton që kandidati kalon provimin me aq pikë sa ka fituar në provim, të shprehura në përqindje të arritura në provimin e maturës shtetërore”, tha Bajrami.
Ai bëri me dije se heqja e pragut të kalueshmërisë ua mundëson nxënësve të shkollës së mesme që ta marrin diplomën me suksesin e treguar gjatë shkollimit dhe pikët e marra në provimin e maturës.
Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
“Në projektligjin e propozuar, me heqjen e pragut të kalueshmërisë me 50 për qind dhe vendosjen e parimit të arritshmërisë u mundësojmë secilit nxënës të shkollës së mesme të lartë t’i nënshtrohet provimit të maturës shtetërore dhe nxënësit të marrin diplomën e shkollës së mesme me suksesin gjatë shkollimit dhe me suksesin e provimit të maturës shtetërore”, shtoi Bajrami.
Ministri Bajrami përmendi edhe një ndryshim tjetër. Tha se në Projektligjin e Provimit të Maturës Shtetërore propozohet edhe heqja e provimit përfundimtar nga shkollat profesionale.
Pa dhënien e këtij provimi nxënësit e shkollave profesionale nuk mund ta marrin diplomën dhe pa marrjen e diplomës nuk mund të punësohen.
Kushtëzimi i marrjes së diplomës me kalimin e provimit përfundimtar, ose pragut të maturës, Arsim Bajrami tha se ndikon negativisht te nxënësit.
Ministri i arsimit tha se edhe pas rishikimit të Ligjit për Provimin e Maturës Shtetërore, ky provim do të organizohet në dy afatet e rregullta të qershorit dhe gushtit./kallxo/