Heqja e testit të maturës i gëzon komunat, shqetëson ekspertët
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami gjatë muajit shkurt tha se do të propozohet që të hiqet pragu i kalueshmërisë së testit të maturës.
Ai tha se së shpejti do të dërgohet në Kuvend Ligji për provimin e maturës shtetërore, ku edhe do të propozohet heqja e pragut.
Një gjë e tillë është mirëpritur drejtori të arsimit të komunave në vend.
Nexhat Çoçaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit tha për KALLXO.com se iniciativa e MAShT-it ka lindur nga vetë drejtorët e drejtorive të arsimit dhe ka kohë që bëhet një kërkesë të tillë.
“Mos marrja e diplomave të shkollave të mesme ka krijuar një numër të madh të nxënësve të cilët në fakt e kanë mbaruar shkollën e mesme dhe nuk janë të pajisur me diploma… Kur shihet që nxënësi ka për të kaluar testin ose ka për ta marrë dëftesën, interesimi do të jetë edhe më i madh i nxënësve të mirë që të punojnë vetëm për vetveten dhe të mos angazhohen për shokët të cilët edhe ata dëshirojnë të kalojnë testin e maturës shtetërore”, tha Çoçaj.
Mirëpo, Çoçaj ka kërkuar që MAShT të sqarojë se a do të pajisjen me diploma të gjithë ata nxënës që pavarësisht pikëve që i kanë bërë në testet paraprake, të futen në testin e maturës.
Kjo, sipas tij, duhet të qartësohet sepse ka një numër nxënësish që gjatë këtyre viteve nuk janë pajisur me diploma dhe nëse ata futen në test, do të ketë dyfishim të numrit të nxënësve.
Sa i përket mbajtjes së testit në formë elektronike ai tha se nuk janë ende të gatshëm për një gjë të tillë.
Edhe Qazim Maloku, Drejtor i Arsimit në Deçan, e ka mirëpritur heqjen e pragut të kalueshmërisë së testit të maturës, nëse një gjë e tillë ndodhë.
“Heqja e pragut është e domosdoshme duke pas parasysh sepse ka nxënës që ndër vite janë grumbulluar dhe të cilët bredhin rrugëve pa ndonjë diplomë dhe ata kanë kryer 3 ose 4 klasë të shkollës së mesme të lartë dhe çdo prolongim i kësaj çështje, është në dëm të fëmijëve”, ka thënë Maloku.
Ai tha se janë mbi 200 nxënës që nuk kanë diplomë në këtë komunë dhe ka vite që nuk janë lajmëruar më sepse e kanë humbur shpresën se do të kenë mundësi ta kalojnë atë prag.
Sa i përket pritshmërisë për testin e maturës për këtë vit, ai tha se puna që po bëhet nëpër shkolla lë për të dëshiruar se ata do të jenë të suksesshëm.
Edhe Maloku tha se ende nuk janë të gatshëm të mbajnë testin në formë elektronike sepse nuk kanë mjete. Sipas tij, do të duhen së paku 600 kompjuterë për të realizuar një gjë të tillë.
Por jo të gjithë po e mirëpresin heqjen e pragut të kalueshmërisë të provimit të maturës.
Melinda Mula, zyrtare programore në Qendrën për Arsim të Kosovës dhe mësimdhënëse në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës nuk po e mirëpret këtë ide.
Ajo thotë se pragu i kalueshmërisë ka qenë një element i cili i ka motivuar nxënësit për të mësuar në mënyrë që të arrijnë suksesin dhe të përgatiten për tregun e punës.
“Në qoftë se MAShT e sheh të arsyeshëm që duhet të hiqet ky prag i kalueshmërisë, atëherë mendoj se ministria nuk duhet të ndalet vetëm me kaq mirëpo duhet që t’i forcojë mekanizmat tjerë ndoshta që kanë të bëjnë me regjistrimin e studentëve nëpër universitete. Sepse, në qoftë se hiqet pragu i kalueshmërisë edhe secili nxënës merr një diplomë të shkollës së mesme, atyre u mundësohet regjistrimi nëpër Universitete të ndryshme”, tha Mula.
Heqja e pragut sipas saj do të bënte që të lulëzonin edhe fakultetet private të cilët edhe në vitet paraprake kanë pranuar një numër të madh të nxënësve të cilët nuk e kanë kaluar testin e maturës.
Sa i përket testit për vitin 2015, ajo tha se nuk po ka gatishmëri nga ana e Ministrisë së Arsimit për ta administruar testin në mënyrë të drejtë.
Kurse Agim Haxhiu, drejtor i arsimit në Komunën e Istogut tha se e mbështet heqjen e pragut mirëpo nevojitet që të ndryshohen edhe disa kritere.
“Unë e mbështes heqjen e pragut të kalueshmërisë mirëpo nëse vazhdon me këto kritere qysh është duke u mbajt dhe monitoru testi atëherë këtu frikohem që një ditë do të jam humbim komplet vlerën testit të maturës”, ka thënë ai.
Ai thotë se që të ngritët cilësia e testit, një nga metodat është monitorimi sa më i mirë i t. Një gjë që mund të bëhet sipas tij është që në të gjitha qendrat e testimit të kishte kamera.
Edhe Haxhiu tha se nuk ka ende kushte për mbajtët e testit në formë të digjitalizuar./kallxo/
Une jam ne vit te dyte ne gjimnaz…jam shume konfuze ne lidhje me testet e matures…..Ky mendimi per heqjen e pragut do te ishte super nese do te realizohej vertet….megjithate beni mire qe kete gje te mos e ndani vetem me njeri tjetrin(ekspertet), por edhe me maturantet…..ndersa e nderuara Znj.Melinda Mula e ka shume gabim….nuk jane provimet e matures ato qe i bejne nxenesit te mesojne, por mesatarja, fundja maturantet qe duan te fillojne universitetin kane shume nevoje per te….”Provimi i maturës do të bëhet në mënyrë digjitale”…do te ishte vetem harxhim kohe dhe buxheti…e them kete sepse nje pjese e mire e nxenesve nuk dine ta perdorin kompjuterin, tabletin, apo,etj, etj,dhe ato njohuri qe kane nuk mund t`i shprehin aty…do ishte fatale…..per mendimin tim provimet e matures duhet te hiqen…..PLEASE SHARE THIS….