Testi i maturës do të ndryshohet
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka takuar të mërkurën maturantë të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit ” në Ferizaj, në funksion siç tha të vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta me ta dhe arsimtarët.
Ministri Bajrami ka thënë se takimi ka qenë konsultativ me qëllim të identifikimit të nevojave dhe problemeve që kanë nxënësit.
“Si qeveri po punojmë shumë me shkolla, arsimi dhe edukimi po bëhen prioritete kombëtar. Ne javën e ardhshme do ta miratojmë programin e qeverisë dhe do ta shihni se arsimi është një prioritet kombëtar dhe kjo është krejt normale sepse të investosh sot në arsim në Republikën e Kosovës, është të investosh në familjet e Kosovës, në të ardhmen e Kosovës dhe padyshim kemi për obligim që tani të krijojmë shkolla të forta, universitete të forta në mënyrë që fotografitë e këtyre ditëve të migrimit të zëvendësohen me fotografitë e sukseseve në shkolla”
ka thënë Bajrami, për të shtuar se MASHT-i do të jetë tërësisht i përkushtuar që të ngrisë cilësinë.
“Ne kemi vetëm një prioritet dhe ai prioritet quhet ngritja e cilësisë nga kopshtet deri tek universitetet. Ne do të punojmë më të gjitha kapacitetet që i kemi në Ministri dhe Qeveri, t’i stimulojmë nxënësit dhe arsimtarët që të prodhojnë cilësi. Dëshirojmë që përmes cilësisë t’i rrisim rrogat sepse dëshirojmë që ngritja e pagave të lidhet me cilësinë në arsim”
ka shtuar ministri Bajrami.
Për më tepër, ministri Bajrami, u ka sjellur nxënësve një lajm të mirë edhe sa i përket testit kombëtar të maturës, duke thënë se do të rishikohet provimi i maturës i cili sipas tij nganjëherë ka qenë edhe element i stresit familjar.
“Të gjithë ne jemi familjar dhe e dimë që nganjëherë matura ka qenë një stres për fëmijët tanë, i ka traumatizuar në një farë mënyre. Me Ligjin e ri do të ofrojmë lehtësime dhe nuk do të ketë rënie nga provimi i maturës, do të ketë vetëm një afat dhe të gjithë do të kualifikohen për fakultet, por poenat e tyre do të llogariten nga fakulteti me rastin e pranimit. Ne kemi vlerësuar se përkundër që ka qenë i suksesshmë, provimi i maturës ka krijuar stres dhe trauma familjare, kemi vendosë ta rishikojmë, do të startojmë edhe me maturën digjitale”,
ka shtuar Arsim Bajrami.
Drejtori i Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, Enver Azemi, e ka vlerësuar këtë dialogim të ministrit me nxënës, duke thënë se nga ky takimi nxënësit u informuan për ndryshimet në provimin e maturës, për projektet e digjitalizimit të shkollave si dhe nevojat për kabinete dhe punë praktike.
Ministri Bajrami, ka komentuar edhe paralajmërimet e fundit të SBASHKU-t, duke thënë se si ministër do të punoj katër vjet për arsimtarë, për t’iu ngritur pagat, por dëshira është që arsimtarët të kërkojnë ngritjen e pagave në proporcion me ngritjen e cilësisë. Ai ka thënë se rroga e arsimtarit nuk është e ulët, por e dinjitetshme./KP/