Provimi i Maturës ka shkuar mirë sipas dinamikës së paraparë
Afati i dytë i provimit shtetëror të maturës u mbajt sot, ku i janë nënshtruar rreth 22 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë kaluar testin në afatin e parë.
Në 235 qendra të testimit në Kosovë është mbajtur provimi shtetëror i maturës, i cili u monitorua nga 500 komisionerë dhe 1 mijë e 400 administrues. Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën, se procesi ka shkuar mirë sipas dinamikës së paraparë, me përjashtim të disa problemeve të vogla.
“Kryesisht testi ka filluar me kohë, me përjashtim të një vonese që ka ndodhur në disa qendra të testimit në Komunën e Prizrenit. Një vështirësi e vogël ishte që disa maturantë nuk e kanë paraqitur provimin me kohë, prandaj ata nuk kanë qenë pjesë e listave. Ka pasur raste kur maturantëve të caktuar u ka munguar dokumenti i identifikimit. Kryetarët e qendrave të testimit, varësisht nga përgjegjësit që kanë marrë përgjegjësit komunalë të arsimit kanë marrë masa se si do të veprohet me ata maturantë”, tha ai.
Edhe në këtë afat procesi i maturës shtetërore është monitoruar nga pjesëtar të kompanive të sigurimeve fizike. Mustafa, theksoi se angazhimi i tyre në cilësinë e administruesve ka dhënë efektin e vet në vetëdijesimin e maturantëve.
“Mendojmë që ka ndikuar pozitivisht jo vetëm në vetëdijesimin e maturantëve, por edhe prindërve, shoqërisë e të mësimdhënësve, në mënyrë që maturantët të kuptojnë që nuk ia vlen të rrezikohet duke tentuar që përmes mjeteve të ndryshme të kopjohet, sepse në raste të tilla do të rrezikonin edhe përjashtim nga 3 deri në 5 vjet në mos pasje të drejtë që t’i nënshtrohen provimit të maturës”, theksoi ai.
Pjesa e dytë e provimit shtetëror të maturës për këtë afat do të mbahet më 6 shtator, ndërkohë rezultatet do të shpallen më 15 shtator.