Këtë javë shpallet konkursi plotësues në UP
Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina”, pritet që gjatë kësaj jave të shpallë konkursin plotësues për pranimin e studentëve për vitin akademik 2014/2015.
Senati i Universitetit të Prishtinës do të mblidhet gjatë kësaj jave për të miratuar propozimet nga Fakultetet për vendet e lira, në mënyrë që të shpallet konkursi për pranim të studentëve në afatin e dytë.
Këshilltari për media në rektoratin e UP-së, Adem Beha, tha për Radio Kosovën, se sot është mbledhur kolegjiumi i dekanëve për të diskutuar për proceset e tanishme në Universitet. Ai tha se në afatin e dytë nuk do të ketë numër shtesë të studentëve që do të pranohen.
“Vetëm ato departamente ku nuk është plotësuar numri i paraparë i studentëve do të shpallet konkurs, por nuk do të organizohet konkurs në kuptimin për shtimin e numrit të studentëve në departamentet ku faktikisht është plotësuar numri”
Ndërkohë shpallja me vonesë e konkursit për afatin e dytë shkakton probleme në këtë proces, tha Beha, duke shtuar se sa më shpejt që të shpallet konkursi dhe të plotësohet ekipi i rektorit, do të kalojë më lehtë edhe kjo periudhë tranzicioni.
“Kjo shtyrje natyrisht e pengon procesin, për shkak se punët janë të mëdha. Prioritetet e rektorit janë të qarta jo vetëm në pranimin e studentëve por edhe në fillimin të një procesi të paketave reformuese në fakultetet dhe menaxhimin ndryshe të Universitetit”.
Ndërkohë, konkursi për afatin e dytë është dashur të shpallej javën që shkoi, por një grup studentësh të mbështetur nga Parlamenti i Studentëve kanë penguar mbledhjen e senatit, ku ishte paraparë të merrej vendimi për shpalljen e konkursit.