Zgjedhjet mund ta shtyjnë Testin e Maturës
Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 8 qershor, mund ta shtyjë mbajtjen e Testit të Maturës.
Në planet dinamike të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM), ka qenë e paraparë që dita e parë e mbajtjes së testimit të jetë 7 qershori, kurse dita e dytë 21 qershori. Por, në rast se zgjedhjet do të mbahen më 8 qershor, ashtu siç po planifikohet, atëherë afatet e parapara për mbajtjen e Testit të Maturës do të shtyhen për një javë.
Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Nehat Mustafa, që njëherësh është edhe kryetar i KQSHM-së, kjo do të ndodhë për shkak se testi mbahet në të njëjtat salla, ku do të jenë qendrat e votimit. “Datat e mbajtjes së testit janë 7 dhe 21 qershori, por kohëve të fundit jemi dëshmitarë se është duke u diskutuar që zgjedhjet të mbahen më 8 qershor. Nëse kjo ndodh, atëherë ne do të jemi të detyruar që afatet e parapara t’i zhvendosim për një javë, sepse qendrat e testimit shërbejnë si vendvotime dhe kjo do të jetë e pamundur që të përgatiten për një ditë”, ka thënë Mustafa për “Epoka e re”.
Ndërkohë, ai ka bërë me dije se KQSHM-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës, edhe pavarësisht faktit se këtë vit do të ketë dyfishim të numrit të maturantëve, të cilët do t’i nënshtrohen testimit. “Gjithsesi ne jemi të përgatitur që këtë vit dy gjenerata t’i nënshtrohen testit. Ne jemi përgatitur për mbi 43 mijë maturantë, duke llogaritur edhe maturantët e viteve të kaluara, që nuk kanë pasur sukses. Mirëpo kjo e ka vështirësuar përgatitjen e punës në terren, sepse kërkohet rritja e numrit të qendrave të testimit. Por, besoj që koha e mjaftueshme që u kemi dhënë komunave për identifikimin e qendrave ka bërë që ato të zgjedhin këtë problem ”, ka shtuar Mustafa.
Matura këtë vit nuk do të ketë ndryshime, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që t’i bëjë ndryshimet në Ligjin për Maturën.
Këtë vit pritet që Testit të Maturës t’i nënshtrohen rreth 43 mijë maturantë, që është grumbullim i dy gjeneratave, pasi është marr vendim që të hiqet klasa e 13-të./epokaere/