Rreth 12 mijë studentë të rinj në UP
Më shumë se 23 mijë të rinj kanë aplikuar për regjistrim në vitin e ri akademik në universitetin publik të Prishtinës i cili që nga muaji tetor 2012 mban emrin “Hasan Prishtina”. Më së shumti aplikantë ka pasur për fakultetet e edukimit dhe ekonomisë. Mbi 300 studentë të hapësirave me shqiptarë përreth Kosovës pritet gjithashtu të pranohen.
Universiteti i Prishtinës këtë vit ka hapur dyert për 11 mijë e 932 studentë të rinj në shtatëmbëdhjetë fakultete për vitin akademik 2013/2014, përgjysmë më pak se sa ka pranuar aplikacione.
Prej tyre 9412 studentë do të jenë të rregulltë dhe 2520 me korrespondencë.
Këtë vit është rritur numri i studentëve që do regjistrohen për 2711, për dallim nga konkursi i vitit të kaluar kur ishin të hapura 9221 vende.
Përgjatë trembëdhjetë ditëve sa ka qenë i hapur konkursi për pranimin e dokumentacionit, në sportelet e fakulteteve të UP-së janë dorëzuar 23 mijë 254 aplikacione.
Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit, i tha gazetës se universiteti ka kushte për plotësimin e nevojave të numrit të madh të studentëve të rinj për vitin e ri akademik.
“Numrin ia kemi propozuar ministrisë së arsimit në bazë të analizave që kemi marrë nga njësitë tona akademike dhe ato analiza me kompetencë kanë vlerësuar se ka kushte për akomodimin e këtyre studentëve”, tha Kastrati.
Prej 11 mijë e 932 studentëve, 2380 do të jenë të shpërndarë për tri universitetet e reja që janë formuar pas një vendimi të qeverisë, të 6 marsit 2013, në qytetin e Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit, të cilat prej 1 tetorit pritet të fillojnë punën si universitete të reja. Pasi që ende nuk kanë filluar punën, konkursi këtë vit për to është hapur nga UP.
Ministria e arsimit ka bërë të ditur se është ndarë buxheti për fillimin e punës së tri universiteteve, mirëpo ministria nuk ka treguar se sa është ky buxhet.
“Këto universitete do të fillojnë punën me stafin aktual, ndërkohë që me kuadro do të mbeshteten edhe nga Universiteti i Prishtinës”, thotë Arbër Morina, këshilltar i ministrit të arsimit.
Provimet pranuese për të gjitha fakultetet janë zhvilluar gjatë ditës së premte dhe ditës së shtunë.
Edhe këtë vit numrin më të madh të aplikantëve e kanë Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti Ekonomik.
Në Fakultetin e Edukimit kanë aplikuar 4128 veta për vetëm 1100 vende të lira.
Zeqir Veselaj, prodekan për çështje arsimore në fakultetin e edukimit, tha se ky fakultet ka kapacitet dhe infrastrukturë për plotësimin e nevojave të studentëve. Ai tha se ka 80 profesorë dhe asistentë të rregulltë dhe gjithashtu edhe 100 syresh me angazhim të pjesshëm. “Ky numër është i mjaftueshëm”, tha ai .
Sipas Veselajt, në fakultetin e edukim këtë vit do të fillojë punën edhe drejtimi i ri në pedagogji që është bartur prej fakultetit filozofik, ku ka qenë viteve të kaluara. Aty do të mund të pranohen 300 studentë.
“Numri i studentëve është pak a shumë sikur vitin e kaluar, por karakteristikë është konkurrenca shumë e madhe prej 4128 kandidatëve që i nënshtrohen provimit. Sidomos interesimi më i madh është në programin (e përgatitjes për mësimdhënie në nivelin) fillor”, tha Veselaj për Gazetën Jeta në Kosovë.
Në këtë fakultet që është quajtur me ironi si fakulteti i gjinisë femërore, këtë vit është parë një numër i madh edhe i aplikantëve meshkuj.
Durim Krasniqi nga Drenasi, pasi që doli nga provimi pranues në degën Pedagogji e Përgjithshme, tregoi se ka zgjedhur këtë drejtim për shkak të mungesës së pedagogëve në qytetin e tij.
“Vetë hulumtimi i tregut të bën me kuptu se në qytetin e Drenasit nuk ka pedagogë dhe është e nevojshme të ketë”, tha Krasniqi.
Ai thotë se provimi nuk ka qenë i vështirë, por se e ka pasur problem të gjente materiale përgatitore nëpër skriptore. Në ndihmë thotë t`i ketë dalë hulumtimi në internet.
Në Fakultetin Ekonomik për 2750 vende kanë aplikuar 4335 kandidatë.
Dekani i këtij fakulteti, Skender Ahmeti, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se edhe përkundër problemit të vazhdueshëm me hapsirat, që u kufizon edhe rritjen e numrit të profesorëve, prapë kanë shpallur numër të madh për pranimin e studentëve të rinj.
“Për shkak të interesimit për të studiuar në fakultetin ekonomik, si këshill i fakultetit kemi vendosur ta ruajmë numrin e njëjtë të studentëve edhe për këtë vit akadamik”, tha ai.
Gazeta ka kontaktuar edhe me fakultetet juridik, filozofik dhe filologjik që po ashtu kanë numër të madh të të interesuare për drejtimet e tyre.
Juridiku ka pranuar 1501 kërkesa pë studentë për 1400 vende sa janë në konkurs. 1000 studentë do të pranohen për në Prishtinë dhe 400 për fakultetin në Gjilan.
Dekani i fakultetit Bajram Ukaj tha se me kohë janë bërë përgatitje për aplikantët e rinj dhe mbajtjen e provimit pranues. Ndër këto përgatitje, ai ka përmendur si hapësirën e mësimit me shtimin e një amfiteatri prej rreth 400 vetash ashtu edhe rritjen e stafit akademik për më shumë se dhjetë profesorë e asistentë.
Kandidati për student juridiku, Liridin Mushkolaj nga Deçani, i cili iu nënshtrua provimit pranues të premten, tha se pyetjet ishin të vështira edhe pse ato ishin me alternativë.
“Unë jam përgatitur prej disa skriptave që i kam blerë, po prej atyre çka kam mësu vetëm 4-5 pyetje më kanë ra e më shumë jo”, tha ai.
Prodekani për çështje akademike në fakultetin filozofik, Dashamir Bërxulli, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se numri 1140 i studentëve të rinjë është shpallur pasi ka kaluar nëpër një sërë filtrash dhe diskutimesh në forumet e universitetit.
Sipas tij, numri i kërkuar është nxjerrë duke pasur parasysh disa faktorë. “Kërkesën e lartë të të rinjve për të studiuar në fakultetin filozofik, vizionit të institucioneve publike për rritjen e numrit të të rinjve që ndjekin studimet universitare dhe aftësisë menaxhuese të vetë fakultetit”, tha Bërxulli.
Në filozofik numri i aplikuesve për këtë afat është 1928.
Në tetë departamente të fakultetit filologjik do të pranohen 1050 derisa kanë aplikuar 1970 kandidatë.
I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, dekani i fakultetit filologjik Sedat Kuçi, thotë se kanë mundësi për përmbushjen e nevojave të studentëve të rinjë. Sipas tij, për studentët me korrespondencë do të organizohet mësim i veçantë – me orar të ndarë.
“Numri i hapësirave nuk është rritur, por ekzistueset do të shfrytëzohen në mënyrë racionale, duke e zgjatur kohën e shfrytëzimit të tyre, p.sh. me orar deri në orët e pasdites”, tha Kuçi.
Në konkursin e hapur nga Universiteti i Prishtinës do të pranohen edhe 323 studentë nga Shqipëria, Maedonia, Mali i zi, Presheva dhe Bujanoci dhe 294 për minoritetin boshnjak, turq, romë, ashkali dhe egjiptian.
Pragu i kalueshmërisë së provimit pranues do të jetë sikur edhe gjatë viteve tjera, prej 30 për qind, me përjashtim të fakultetit të edukimit i cili sipas prodekanit për çështje arsimore do të jetë 40 për qind.
Ndërkohë lexueshmëria e testeve në mënyrë elektronike me lexim optik do të bëhet në fakultetin e edukimit, ekonomik dhe mjekësi derisa të tjerat do të vazhdojnë me mënyrën manuale siç është bërë çdo vit.
Shpallja e rezultateve do të bëhet më 30 korrik.