Rreth 11 mijë maturantë sprovojnë dijen në Testin e Maturës 2013 në afatin e gushtit
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , ka organizuar provimin e Maturës Shtetërorë 2013 , pjesa e parë (afati i gushtit) , për rreth 11 mijë nxënës të cilët nuk kaluan në afatin e qershorit , por edhe për ata që viteve të mëparme nuk kishin treguar sukses .
Zëvendësministri i Arsimit, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës z .Nehat Mustafa , me këtë rast u shpreh se administrimi i testit filloi me kohë dhe u realizua me sukses , me ndonjë përjashtim të vogël ku shënimet e dërguara nga shkollat nuk korrespondonin me numrin e saktë të maturantëve, por falë punës së madhe e profesionale të Divizionit për Standarde Vlerësim dhe Monitorim (DVSM) të MAShT, edhe këto probleme u tejkaluan me sukses .
Në vazhdim z Mustafa theksoi se “në mbarëvajtjen e procesit të administrimit dhe monitorimit të provimit janë të angazhuar mjaft mësimdhënës, zyrtar të MAShT dhe profesor të Universiteteve Publike me të vetmin qëllim që të kemi rezultate sa më reale “.
Kontributin e të çmuar në mbarëvajtjen e testit kanë dhënë edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, Policia e Kosovës, shërbimet shëndetësore dhe mbi të gjitha mediat të cilat me punën e tyre kanë kontribuar në informimin e vazhdueshëm të maturantëve , ka thënë z Mustafa .
Provimi është mbajtur në 31 komuna të Kosovës, ndërsa për mbarëvajtjen e testit janë angazhuar rreth 860 administratorë. Kohëzgjatja e testit është 180 minuta, kalojnë ata nxënës të cilët japin përgjigje të sakta në më shumë se 50 për qind të pyetjeve.
Pjesa e dytë e Testit të Maturës 2013 , do të mbahet me datë 7 shtator , ndërkaq rezultatet pritet të shpallen me 16 shtator 2013 .