Publikohen akreditimet për Bartësit Privat dhe Publik të Arsimit të Lartë
Janë publikuar vendimet për Bartësit Privat dhe Publik të Arsimit të Lartë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Kosovës për Akreditim, në të cilën janë përfshirë 26 institucione të këtij niveli, 23 private dhe 3 publike, në më shumë se 200 programe për nivelin Bazik, Master (MA) dhe Doktoratë. Bazuar të dhënave në këto vendime, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk i janë akredituar 10 programe të doktoraturës të katër fakulteteve, nga 15 gjithsej sa kishin aplikuar për këtë nivel të studimeve. Ndërkaq edhe këtë vit, asnjë kolegj nuk është akredituar për nivelin e studimeve të doktoratës.
Pas këtyre publikimeve pritet që të gjitha Universitetet Publike dhe Private të Arsimit të Lartë t’i hapin konkurset për pranimin e studentëve, edhe pse shumë prej kolegjeve private kanë filluar fushatat reklamuese para këtij vendimi.
Në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore (FSHMN), është akredituar programi i Kimisë për nivelin e studimeve të doktoratës dhe programi Biologjia e Organizmave dhe Ekologjia, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) është akredituar drejtimi Telekomunikacionit, Shkencave Kompjuterike dhe Automatikë për këtë nivel të studimeve.
Ndërkaq në FSHMN, për nivelin e studimeve të doktoratës i është refuzuar akreditimi në programet Biologji Molekulare dhe ajo e Qelizës dhe programi Optika e Mediumeve Izotropike. Po ashtu në FIEK nuk janë akredituar programet Elektronikë, Elektroenergjetikë Sociale dhe Sistemet Elektroenergjetike. Në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës për nivelin e studimeve të doktoratës nuk është akredituar programi Konstruksion, ndërsa në Fakultetin Filozofik, për këtë nivel të studimeve nuk është akredituar programi Shkenca Politike.
Ndërkaq sa i përket programeve të doktoraturës për Bartësit Privat të Arsimit të Lartë, vetëm kolegji “Riinvest” ka aplikuar për një program të doktoraturës, por nuk është akredituar.
Sa i përket Bartësve Publik të Arsimit të Lartë, për nivelin MA të studimeve nuk janë akredituar 10 programe të pesë Fakulteteve të Universiteteve Publike, kurse janë akredituar 26 programe të shtatë fakulteteve të UP “Hasan Prishtina”.
Në Fakultetin Filozofik nuk janë akredituar programet Studime në Politikë Ndërkombëtare dhe Histori Mesjetare e Evropës Jug-Lindore – shek. V- XVIII. Në Fakultetin e Arteve nuk është akredituar programi Regji e filmit për nivelin MA të studimeve. Në Fakultetin e Filologjisë dega në Gjakovë, nuk janë akredituar programet Gjuhë shqipe, Letërsi shqipe dhe Gjuhë angleze për nivelin MA të studimeve. Në Fakultetin e Studimeve Islame- Prishtinë, nuk është akredituar programi Teologji për nivelin MA të studimeve.
Të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin MA të Studimeve për Psikologji, Fakulteti Filozofik i ka të akredituar programin Psikologjia Klinike dhe Shëndeti dhe programin Psikologji shkollore dhe këshillim.
Në Universitetin Haxhi Zeka, në Pejë, nuk është akredituar programi Turizëm për nivelin MA të studimeve.
Vendimet për akreditim në nivelin Magjistër Shkencor (MrSc) në Universitetet Publike i janë dhënë shtatë fakulteteve për 20 programe.
Bartësve Privat të Arsimit të lartë nuk iu kanë akredituar nëntë programe të nivelit MA të studimeve, ndërkaq i janë pranuar 30 programe. Ndërkaq sa i përket studimeve për titull Magjistër shkence janë akredituar tri programe.
Kolegjit UBT nuk i janë akredituar programet Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studimet Britanike dhe Amerikane për nivelin Bazë të studimeve. Kolegjit Iliria nuk i janë akredituar programet Biznes Ndërkombëtar, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, Shkencat Kompjuterike për Menaxhim Biznesi në nivelin MA të studimeve. Kolegjit Fama nuk i është akredituar programi Sociologji dhe Politike për nivelin MA të studimeve. Kolegjit Dardania nuk i është akredituar program Menaxhment dhe Informatike për nivelin MA të studimeve. Kolegjit Universum nuk i janë akredituar programet Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe Menaxhimi i Sistemeve Informative për nivelin bazë, dhe program Qeverisje për nivelin MA të studimeve.
Ndërkaq për nivelin bazik të studimeve në Universitetet Publike janë akredituar 35 programe në nëntë fakultete. Në Universitetet Private janë akredituar 71 programe për nivelin bazik të studimeve ndërkaq nuk i janë akredituar 12 programe./testimatures.com/