MASHT nuk e di se sa studentë do pranojnë sivjet universitetet e Kosovës!
Ministria e Arsimit nuk e di ende saktë se sa është numri i studentëve, të cilët Universiteti i Prishtinës dhe Universitetet e tjera publike do të kenë mundësi t’i pranojnë në vitin akademik 2013-2014.
Gjithsej 74.5 për qind është në total rezultati i kalueshmërisë së testit të sivjetmë të maturës, që konsiderohet si më i larti prejse ka filluar të aplikohet.
Për këtë arritje të lartë është shprehur i kënaqur ministri i Arsimit, Ramë Buja. Sipas tij, nuk paraqitet asnjë problem për arsimin e lartë që të konkurrojnë të gjithë të interesuarit për studime universitare.
Buja ka thënë se hapja e universiteteve të reja publike do të hapë mundësinë e re që të kenë mundësi të regjistrohen të gjithë të rinjtë kudo në Kosovë, transmeton KTV. Ndërsa, sipas ekspertit të Arsimit, Dukagjin Popovci, Kosova ka shumë më tepër kërkesa sesa vendet e tjera për t’u regjistruar në studimet universitare.
Popovci ka theksuar se do të ishte në rregull që çdo herë të ketë numër të madh të të interesuarve për studime, por kjo duhet të shkojë në përputhje me stafin akademik, i cili mbetet i vogël krahasuar me numrin e madh të studentëve.