Sot, pjesa e dytë e testit të maturës
Sot nga ora 10:00, maturantët e shkollave të Kosovës do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të testit të maturës shtetërore në lëndët profesionale, sipas profileve përkatëse.
Testimi do të mbahet në 305 qendra, dhe do të zgjasë 180 minuta. Kurse, nxënësve iu lejohet që të kenë me vete vetëm laps grafit HB dhe një shishe ujë të pijes.
Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM), ka thënë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të gjithë përgatitjet që edhe dita e dytë e Provimit të shkojë sipas planit të paraparë.
Në këtë test janë bërë disa plotësime, për dallim prej vitit të kaluar. Gjimnazi Matematikë-Informatikë këtë vit ka pyetje edhe nga lënda e informatikës; Gjimnazi i Përgjithshëm do të ketë lëndët e kimisë, biologjisë, historisë dhe sociologjisë; dhe drejtimet për Administratë, Ekonomi, Hoteleri, Turizëm, Shërbime Postë-telefoni, do ta kenë shtesë lëndën e gjeografisë.
Ai ka treguar se për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 2500 administrues dhe mbi 900 anëtarë të komisioneve në Qendrat e Testimit. Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit do të jenë të mbuluara me së paku dy përfaqësues nga tri universitetet publike të Republikës së Kosovës, raporton KosovaPress.
Publikimi i rezultateve do të bëhet më 24 qershor. Ankesat e nxënësve pranohen nga data 25 deri më 27 qershor dhe publikimi i rezultateve me ankesa do të bëhet më 28 qershor.
Për pranim në universitet llogariten 80 për qind e pikëve nga rezultati i Testit të Maturës dhe 20 për qind nga suksesi në shkollën e mesme të lartë për ato fakultete të cilat nuk kanë provim pranues, ndërsa në ato fakultete ku ka provim pranues llogariten 50 për qind nga testi i maturës, 30 për qind i pikëve nga provimi pranues dhe 20 për qind nga suksesi i shkollës së mesme të lartë.