Përfundoi pjesa e parë e testit të maturës
Rreth 34 mijë maturantë kosovarë iu nënshtruan sot pjesës së parë të provimit të maturës, në 305 qendra të testimit në gjithë vendin.
Me këtë rast, si njofton MASHT-i, ministri i Arsimit, Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri, Nehat Mustafa, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Halim Halimi, kanë vizituar maturantët që i janë nënshtruar provimit të maturës në qendrën e testimit në shkollën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.
Aty, ministri Buja ka parë nga afër se si po shkon procesi i testimit dhe ka bashkëbiseduar shkurt me maturantët rreth shqetësimeve të tyre në lidhje me këtë test.
Më pas, në një prononcim për media, ministri Buja tha se sot kanë ankth jo vetëm këta nxënës që janë në testin e maturës, por edhe prindërit. “Unë ju them se nuk duhet ta kenë këtë ankth, sepse janë siguruar të gjitha kushtet që është dashur të sigurohen, të gjitha përgatitjet janë bërë që ky testim të shkojë sa më mirë, duke përfshirë këtu edhe gjithë nivelin pedagogjik arsimor dhe teknik”.
Si probleme që janë shfaqur sot, Buja përmendi Skenderaj, ku në shenjë revolte për paraburgimet e shtatë ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, nuk kanë dashur t’i nënshtrohen testit, ndërsa në Obliliq ka pasur një vonesë të vogël.
Zëvendësministri Mustafa sqaroi se në Skenderaj maturantët janë bindur të fillojnë testimin, pas një aktiviteti të mirë dhe të suksesshëm të Drejtorisë Komunale të Arsimit. “Tani edhe atje ka filluar testi i maturës dhe për këta maturantë do të zgjatet afati i testit për një orë”, tha ai.
Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 2 500 administrues dhe mbi 900 anëtarë të komisioneve në Qendrat e Testimit. Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit kanë qenë të mbuluara me së paku 2 përfaqësues nga tri universitetet publike të vendit (mbi 600).
Policia e Kosovës edhe këtë vit ka mbështetur organizimin e Testit të Maturës duke siguruar transportin e testeve nga Ministria në Qendrat e Testimit dhe anasjelltas, si dhe ka siguruar këto qendra gjatë kohës sa është mbajtur testi.
Pjesa e dytë e testit, ku do të ketë pyetje nga lëndët më të përafërta me drejtimin, do të mbahet më 15 qershor.
Rezultatet e provimit të maturës do të shpallen më 24 qershor. Më pas, maturantët do të kenë tre ditë afat që të ankohen dhe më 28 qershor do të bëhet edhe publikimi i rezultateve të ankesave.
Ata që nuk do të mund të arrijnë pragun e kalueshmërisë prej 50 për qind kësaj radhe, do ta kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit. /Indeksonline/
Hej a eshte e vertete se ne marrin 20 pike bonus per 4 vite gjimnaz??