Të shtunën mbahet provimi i maturës
Provimi shtetëror i maturës do të mbahet në gjithë vendin të shtunën, duke filluar nga ora 10:00 e paradites. Rreth 35 mijë maturantë është parashikuar të marrin pjesë në provim. Dita e parë e këtij provimi do të jetë më 1 qershor, kurse dita e dytë 15 qershor.
Maturantët do të vlerësohen me teste që përfshijnë 200 pyetje, 120 ditën e parë dhe 80 pyetje të tjera ditën e dytë. Pjesa e parë e testimit do të përfshijë vlerësimin nga lëndët e përgjithshme, kurse e dyta nga ato profesionale, shkruan “Zëri”.
Divizioni për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka njoftuar për mbylljen e fazës së aplikimit dhe marrjen e masave që nxënësit të mos paguajnë në banka shumën prej pesë euro për paraqitjen e provimit, ngase taksa për këtë i ka kushtuar, sipas kësaj zyre, një maturanti dy euro.
Udhëheqësi i këtij divizioni, Mustafë Kadriu, ka thënë për gazetën se rreth 35 mijë maturantë sipas parashikimeve dhe parallogaritjeve të mëhershme do duhej të paraqisnin provimin e maturës.
Ndonëse ka përfunduar paraqitja e provimit, ai tha se nuk disponojnë numrin e saktë të kandidatëve që do të hyjnë në provim, për shkak se të dhënat nga drejtoritë komunale arsimore ende nuk janë përcjellë në divizion.
Sipas Kadriut, çdo maturant për mobilizimin e shpenzimeve administrative për të paraqitur provimin është dashur të paguajë nga 5 euro në ndonjë nga bankat në Kosovë. Megjithëkëtë, ai tha se kjo është ndaluar për shkak se paraqitja e provimit në banka ka kushtuar plus dy euro për shërbime bankare. “Kjo ka qenë arsyeja kryesore që e kemi ndaluar pagesën në banka për shkak se një maturanti i kushtonte pastaj pagesa shtatë euro me gjithë taksën e bankës, që në total për këtë numër maturantësh i bie dikund që bankat të përfitonin një shumë mbi 60 mijë euro”.
Kadriu tha se është marrë vendim nga divizioni që maturantët të bëjnë pagesën në shkolla, vetëm në vlerë prej 5 euro aq sa parashihet me rregulloret në fuqi për organizimin e këtij provimi. “Shkollat pastaj kanë dërguar të gjitha pagesat e maturantëve në bankë njëherësh dhe në total si kemi llogaritur ne i bie që dikund 500-1000 euro të kenë paguar tatim shkollat për bankat dhe shmangur atë 60 mijëshen që do t’u merrej nxënësve”.
Por, Kadriu nuk mohon se dhe në fletëparaqitjet e provimit të hartuara dhe shtypur nga ky divizion ka pasur problem të lexohen nga aparatet e disa bankave.
Megjithëse, thekson se ky nuk ka qenë problemi që ndikoi në marrjen e vendimit që pagesa të bëhet në shkolla, por taksa e lartë e bankave.
Ndërkaq, dita e parë e provimit të maturës është afruar të mbahet, të shtunën, më 1 qershor, nga lëndët e përgjithshme duke filluar njëkohësisht në të gjitha qendrat. Kadriu ka bërë të ditur se sivjet janë gjithsej 305 qendra ku do të mbahet provimi, e të angazhuar rreth 2000 administrues.
Ai ka theksuar se ky numër administruesish do të mbikëqyret nga mësimdhënës të tri universiteteve publike në vend, me të cilët MASHT-i është dakorduar që të marrin pjesë në vlerësim.
“Këta mësimdhënës do të shpërndahen nëpër qendra të testimit, varësisht nga madhësia e qendrës prej një deri në dy veta, që do të kenë rol mbikëqyrjen e punës së administruesve”. Vendimi i këtij divizioni për numrin e pjesëmarrësve në provim, ai tha se përfshin që jo më shumë se 150 maturantë të jenë në një sallë.
“Ky numër është maksimumi i lejuar, pra 150 mbi këtë numër nuk lejohet të jenë maturantë në salla, por besoj se nuk do të ketë nevojë as për këtë numër pasi hapësira ka të mjaftueshme”. Ai ka thënë se tash ndodhen në fazën e printimit të testeve, ndërsa kanë mbajtur takim dhe me Policinë e Kosovës e cila do të jetë e angazhuar deri sa të kryhet ky proces për shkaqe sigurie të testeve dhe mbarëvajtjes së provimit. /Zeri/